Nga Kadri Dauti
«Ju drejtoni botën, ne ju drejtojmë ju!» – thotë një strofë e këngës së këngëtares Shqyrete Behluli. Sa kuptojë, nuk e ka fjalën për lekët, por për gratë. Nuk do ishte keq nëse gratë do na qeverisnin vërtetë ne, burrave. Por mendojë, nuk është kështu. Ka pasur burra shteti që kanë qeverisur botën me moral, me principe, me njerzillëk. Sot ata i gjejmë vetëm në varreza. Edhe në Shqipëri ka pasur burra që kanë bërë shtet, që kanë dhënë edhe pasurinë e tyre për të mirën e këtij vendi. Por ne i kemi hedhur poshtë, i kemi helmuar! Gjithsesi, kohë e shkuar.
Me gjithë respektin për këngëtaren e mirënjohur, më duhet ta kundërshtoj. Burrat s’kanë fuqi. «Geld, regiert die Welt.» (“Paraja drejton/qeveris botën.») – thotë një fjalë e urtë gjermane. Duket se edhe të tjerë popuj e kanë këtë shprehje: «Money rules the world», «L’argent gouverne le monde» etj. Se paraja ka një influencë dhe fuqi të madhe në aspekte të ndryshme të shoqërisë. Pasuria ekonomike dhe burimet financiare kanë një ndikim të përhapur në vendimmarrje, strukturat sociale dhe shpërndarjen e pushtetit. Rrjedhimisht në jetën tonë.
Sa shohë unë, kanë të drejtë. Nëse në vitin 1986 në Tokë kishte 25 miliarderë, në vitin 2013 kishte 1,426 me rreth 5.4 trilion dollarë, në fund të 2024 kishte 2,781 njerëz kanë një vlerë kolektive prej 14.2 trilion dollarësh, sot ka 3028 miliarderë, të cilët janë më të pasur se kurrë, me një pasuri totale prej 16.1 trilionë dollarësh. Ose sa 2.000 herë buxhetin e Shqipërisë. Nëse në 1987 njeriu më i pasur kishte 20 miliardë dollarë, në 2020 113 miliardë dollarë, sot më i pasuri, me biznes mode e kozmetike, ka 233 miliardë dollarë. Ose sa 29 herë buxhetin e shtetit Shqiptar.
Tek sheh këto statistika për multimiliarderët në botë dhe trendin e frikshëm në rritje, nuk ka si të mos shqetësohesh seriozisht. Mirë, dakord, «Paraja drejton botën», por deri kurrë pra?! A ka një ditë, një shpresë që kjo të marrë fund?! Koha po tregon që edhe thënia, ka një dritë në fund të tunelit, duket slogan. Sepse më shumë se në shekullin e 18-të, kur u shkrua poezia, sot ka më shumë kuptim: «Për para kokat priten/, për para kështjellat shiten/, për para nderi mohohet/, për para e mira harrohet …» A nuk thotë njëri nga multimiliarderët: do zhdukim njerëzimin në Tokë!
Sepse, njeriu nuk ka nga dy-tri jetë për të jetuar, ka vetëm një. Jetojmë në një botë me pabarazi tejet të skajshme. Pasuria e botës është mbledhur në një grusht njerëzish: 4% e njerëzve zotërojnë 96% të pasurisë së botës! Kur vetëm 8 njerëz në botë zotërojnë sa shuma e gjysmës së varfër të botës, në tokë ka varfri ekstreme, njerëzit vdesin për bukë, s’kanë ujë për të pirë, s´kanë çati mbi kokë, s’kanë një medikament për dhimbje koke. Kriza shoqërore e sociale thellohet. Krizat ndjekin njëra – tjetrën dhe kurrë nuk dilet nga kriza. Dy shkencëtarëve biologë «u doli», pa i pyetur, virusi CODID-19, dhe bëri kërdinë në botë, veç farmaceutika u pasurua, pa çka se shumë nga më të pasurit në botë deklaruan në fillim rënie të të ardhurave. Çfarë po bëhet?! Ku po shkon kështu njerëzimi?! Kështu rrezikohen demokracitë në mënyrë globale.
Më në fund edhe në Shqipëri mbërriti ajo ditë, të kemi një multimiliarder në listën e «Forbes». Populli gëzon: «Edhe ni arnaut koka, e paskum njo tonin në listë.» Mos u gëzoni, bashkë atdhetarë. Se, siç ka thënë një filozof i madh (pa ja përmendur emrin, por jo Zylo Kamberi jonë), kur doli paraja, ua theu kockat edhe shenjtorëve. Jo më kockat tona, që nuk mbajnë hiç.
Para disa dekadave në Shqipëri, të ikte koka po të prekje pak pasurinë shtetërore ose sabotoje disi ekonominë. Për 200 lekë (të reja) ose 30 dollarë deficit apo suficit shitësi shkonte në qeli e jepte llogari. Do quheshe brez pas brezi armik i popullit dhe i partisë. Edhe po të të shpëtonte koka, do kalbeshe në birucat e errëta e të ftohta. Sot mund të grabitësh Bankën e Shqipërisë, thesarin e shtetit, gjithë pasurinë kombëtare dhe nuk dënohesh. Fundja dënohesh disa vite, apo s’janë bërë tani dhe burgjet me standarde, me palestra. Por edhe mund të marrësh dëmshpërblim nja 450-500 mijë Euro, se të kanë rënë në qafë kot, si rasti i 700 mijë dollarëve në Bankën e Shqipërisë. Dhe pastaj oh, qejf o qejf! Ne merremi me shpullën e Jozit për Gjestin në Big Brother. Nuk ngrihemi të kërkojmë llogari, tu tundim dhëmbët. Kemi defiçenca, sa më shumë vidhemi e nënçmohemi aq më shumë nënshtrohemi. Se vuajmë nga kompleksi i nënshtrimit.
Diku kam lexuar për hajdutin më të madh të gjithë kohërave. Besoj se e dini, ka qenë një varrmihës! Duke qenë se ekzistonte mendësia që sa më shumë para/pasuri të marrësh me vete në varr, aq më jetë të lumtur do bësh atje, në botën e përtejme, ai nuk përdori korrupsionin, por veproi me një metodë unike: hapte varret natën dhe ua merrte gjithë florinjtë apo sendet me vlerë atyre që varroste ditën. Kur ai vdiq, në shtëpinë e tij gjetën pasurinë më të madhe deri atëherë, sa edhe varri nuk e nxinte. Presidentët, kryeministrat, ministrat, deputetët tanë kanë moton «Pecunia non olet» («Paraja nuk ka erë»), shprehjen e njohur të Kaiserit Vespasian, kur djali i tij, Titus, kundërshtoi taksën e vënë për banjot publike. Siç duket nuk e dinë kundërpërgjigjen e Titusit: «Atqui e lotio est« («E megjithatë ajo vjen nga urina».)
Para disa ditësh, kryeministri anglez, sa pash unë, u përlot në parlament. Pse?! Sepse ka shpirtmirësi, njerzillëk, siç thotë populli. Sepse është i përgjegjshëm për fatet e njerëzve të vendit të tij. Sepse, tjetri thotë, të bëjmë Amerikën përsëri të madhe dhe ka vendosur tarifa të kripura. Tregjet botërore po lëkunden, njerëzit po varfërohen. Buxhetet e mbrojtjes, të luftës, po shtohen frikshëm. Pasiguria po ritet. Luftëra janë ndezur. Të tjera projektohen. Liria dhe paqja janë rrezikuar seriozisht. Evropa duket se është zgjuar disi, por me konjukturat e saj të brendshme duket se po rrezikon veten. Ndërsa ne themi me mendjelehtësi: të integrohemi në Evropë! Madje pa Kosovën, duke u bërë vetë armik i kombit tonë.
Paska pasur të drejtë humoristi durrsak Fadil Hasa, që i thirri komshiut të vinte te merrte paratë e dhuruara, se i kishin zënë dajren! Po sikur edhe ne, ose edhe shteti, të mendojmë pak si t´i lumturojmë të pasurit? D.m.th. jo t´i çojmë në gijotinë, jo tua flakim, por tua lehtësojmë pak kuletën! Dikush mendon «përmes futjes së taksave mbi pasurinë», por siç duket nuk funksionon. Ata që kanë pushtetin, d.m.th. të pasurit nuk tatojnë të pasurit. Siç thotë populli, korbi nuk ia nxjerrë sytë korbit. Mbase funksionon me kushtetutë. Mos t´i lejojë të kenë më shumë se një milionë euro/dollarë/paundë! Se nuk bëhen milionat e miliardat me 20-30-40 vite punë, (kuptohet të ndershme), përveç, në rastin më të mirë, nga puna e papaguar, siç thoshte Marksi, ose nga vjedhja. Se mund tu bëj mirë, mund tu sjellë pak lumturi, paqe me vetveten. Se vetë nuk e kanë ndjenjën e brendshme të mirësisë, sikurse Leo Tolstoi, i pasur në lekë e prona, por i pasur dhe në shpirt.
Gjithsesi, kemi edhe një shpresë tjetër për pak lumturi: te BITCOIN. Se mbase zhduk letrat para dhe nuk ka kaq shumë monedha virtuale për multimiliarderë! Le të lutemi për këtë, mbase do na i dëgjoj kush lutjet! Se për të lëvizur duart dhe këmbët ne vetë nuk bëhet fjalë. Shprehjen popullore: «Me para djalli bën këmbë.» nuk e vlerësojmë siç duhet, por e zbatojnë qeveritarët për të na blerë votat e manipuluar mendjen me Big Brother e turli mbroçkullash. Vërtet njeriu, siç thotë Göthe, është thjesht një mysafir i zymtë në këtë tokë të zymtë, por secili ka nevojë për pak lumturi, për pak para. Por jo të shesim votën për një thes miell! Se humbasim edhe dinjitetin tonë!
Vërtet njeriut i duhen para. Për të jetuar normal. Jo për t´i marrë në botën e përtejme si mbretëritë e faraonët e lashtësisë. Mbi të gjitha i duhet dija, kultura, një filozofi jetësore, që t´i jap kuptim jetës. Në Japoni ka multimiliarderë, por besoj secili nga ne e ka zili popullin japonez për filozofinë e kulturën jetësore që ka, për vet disiplinën dhe rregullin që kanë. Janë një popull i lumtur dhe krenar. Ne, shqiptarëve, na mungon një filozofi e mirëfilltë jetësore. Jetën nuk e jetojmë lirshëm e natyrshëm, se ua lemë djajve të maskuar, atyre që nuk janë njerëzorë, të na qeverisin. Ata me marifete klounësh, gradualisht, na bëjnë shpëlarje truri ose përfitojnë nga mirësia e jonë për t’i bërë ata t’i mbështesim. Ata vidh parat e pasurinë tonë dhe ne s´e bëjmë qejfin qeder. Ata bëjë tualete edhe për macet e qentë, ata blejë ora nga 1,5 milion Euro, kur shumë njerëz nuk kanë bukë të hanë në darkë, nuk kanë një dhomë ku të fusin kokën, nuk kanë lekë të marrin ilaçet. Dhe ne hiç, flemë gjumë. Jo revolucion jakobin, por as protestë mbështetëse për drejtësinë që po u kërkon llogari hajdutëve nuk denjojmë! Dhe pastaj, domosdo, çingijat e beut të Lushnjës të 1936, do kërcejnë në mes të Sheshit «Skënderbej»! Paradoks!
Këtu nuk ka vend për shaka. Kjo pabarazi kërcënon të përmbysë demokracinë jo vetëm te ne, një demokraci e brishtë, por edhe demokracitë në mënyrë globale. Ne nuk mund ta mbrojmë demokracinë më me frymën e jakobinëve të Revolucionit Francez, por të paktën, mos të mbrojmë etikën, dinjitetin tonë, krenarinë tonë, jo të shitemi për pesë haspra!
Mirë është të qeverisemi nga morali, nga principet, nga logjika, nga mirësia. Edhe pse djallesha (ndjesë!) u propozoi djajve hajdutërinë më të madhe që mund t´i bënin njeriut për ta kontrolluar më mirë, duke ja vjedhur lumturinë dhe fshehur në zemrën e tij, nga gratë le të qeverisemi. Vetëm nga lekët mos qeverisemi! Paraja nuk të bën të lumtur. Lumturia, paqja nuk blihen me para.
Eh, ç’të them më! Sot është kohë paradoksale. Ndjehem i trishtuar! Edhe qenit që ka para i thonë: zoti qen! Është deviza e kohës, paraja drejton/qeverisë botën. Por të paktën nuk duhet të drejtojë zemra tona. Përndryshe: Hasta la vista lumturi!