Në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Italisë, Shqipërisë dhe Spanjës është goditur një grup kriminal i trafikut të drogës.
Janë lëshuar 27 masa sigurie nga të cilat 20 prej tyre janë me masë arrest në burg ndërsa 7 janë me masë arrest shtëpie.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane droga ruhej në një qendër të pritjes së emigrantëve në periferi të Romës. Hetimi zbuloi se objekti ishte gjithashtu një vend rekrutimi për migrantët nigerianë, mbajtës të lejeve të qëndrimit të përkohshëm, të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Sasitë e mëdha të marijuanës importoheshin nga Vlora dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën falë një aleance mes grupeve kriminale shqiptare dhe nigeriane. Organizata transportonte drogën duke përdorur transportin publik.
Mediat italiane raportojnë se falë bashkëpunimit me policinë lokale dhe mbështetjen e Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Interpolit, disa arrestime u bënë në Vlorë dhe në provincën e Barcelonës.
27 persona që janë me masë sigurie akuzohen, për trafik droge, posedim dhe furnizim me lëndë narkotike, zhvatje, armëmbajtje pa leje dhe regjistrim fiktive të pasurisë.
Ndërkohë Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar raporton se në kuadër të këtij operacioni kanë rënë në pranga tre shqiptarë si dhe një tjetër pjesëtar i grupit, i cili aktualisht po vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës.
“Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa”, njofton policia.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:Policia e Shtetit-Finalizohet në Shqipëri dhe në Itali, operacioni ndërkombëtar i koduar “Alba Tibus”, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal për trafikim të lëndëve narkotike.Operacioni në Shqipëri u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe në koordinim me homologët italianë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, Karabinierinë e Romës, Parioli, dhe me Drejtorinë e Interpolit.Akuzohen për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Itali, për trafikim të Cannabisit, lokalizohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas shqiptarë.Hetimet e përbashkëta identifikojnë dhe një tjetër pjesëtar të grupit, i cili aktualisht po vuan dënim në IEVP Rrogozhinë.Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.