Sot ka nisur faza e parë e raundit të dytë të regjistrimeve në universitetet publike dhe private në vend. Ata që nuk përfituan në raundin e parë, tashmë kanë edhe një mundësi të fundit për të siguruar një vend në programet e studimit që kanë ende kuota të lira.

Faza 48-orëshe e regjistrimeve kërkon që çdo maturant i shpallur fitues të paraqitet në sekretaritë mësimore të universiteteve përkatëse. Nëse nuk kryhet regjistrimi brenda këtij afati (sot dhe nesër), vendi i përfituar anulohet automatikisht. Por ata që nuk kanë fituar ende degën që preferojnë dhe vendosin të presin deri në fazën tjetër, nuk duhet të regjistrohen.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, gazetarja Ermelinda Hoxhaj tha se sipas të dhënave të deritanishme, në raundin e dytë janë regjistruar rreth 6 mijë e 300 maturantë.

Mësuesia bie, shkencat ekzakte në krizë

Nga të dhënat e deritanishme, shihet qartë se programet e studimit si Mjekësia dhe ato të Universitetit Politeknik të Tiranës (si: Arkitektura, Urbanistika, TIK dhe Inxhinieria e Ndërtimit) mbeten ndër degët më të preferuara nga maturantët. Ndërkohë, programet e mësuesisë vijojnë të kenë interes të ulët, ndonëse pritet një rritje e lehtë e regjistrimeve në këtë raund të dytë.

Një tjetër shifër shqetësuese lidhet me interesin në rënie për shkencat ekzakte: Fizika ka regjistruar vetëm 2 studentë në rang kombëtar, ndërsa Kimia ka pasur vetëm 5 regjistrime.

Universitetet po bëhen gati për të nisur vitin e ri akademik më 6 tetor, ndërkohë që ende po vijojnë përgatitjet për mbylljen e regjistrimeve dhe sistemimin e studentëve në programet përkatëse. Në raundin e parë janë regjistruarafërsisht 16 mijë studentë të rinj, të cilët do të nisin vitin akademik më 6 tetor.

Për maturantët që ende nuk janë regjistruar, ky është momenti për të përfituar nga mundësitë që ofron raundi i dytë, përpara se të mbyllet zyrtarisht cikli i pranimeve për këtë vit akademik.