Një tjetër krim i rëndë ka tronditur Italinë: Gentiana Hudhra, 45 vjeçe me origjinë shqiptare, u vra brutalisht me thikë të shtunën pasdite në qytetin e Tolentino, pranë Maceratës. Sulmi ndodhi në rrugën Viale Benadduci, një zonë e populluar, ku gruaja u godit disa herë me thikë para syve të kalimtarëve.
Autori i dyshuar i vrasjes është ish-burri i saj, një 55-vjeçar shqiptar, i cili nuk tentoi të arratisej. Ai u gjet i ulur në një stol pranë vendit të krimit, në gjendje të hutuar dhe pa rezistencë gjatë arrestimit nga karabinierët.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës dhe tronditi qytetarët që u gjendën dëshmitarë të një akti dhune të papritur. Sipas dëshmive, gjithçka ndodhi në pak sekonda, ndërsa viktima nuk arriti të shpëtojë pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore. Ajo ndërroi jetë në vendngjarje.
Hudhra kishte vite që jetonte në Tolentino dhe ishte nënë e dy fëmijëve të rritur. Ajo ishte ndarë nga bashkëshorti prej tre vitesh dhe nuk kishte sinjalizuar më parë për dhunë apo kërcënime.