Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Leli Kajën, administratorin e inceneratorit të Elbasanit, ndaj të cilit SPAK ka ngritur dyshime për korrupsion pasiv.
Me zhvillimin e seancës së sotme, avokatët kanë thyer bojkotin në këtë rast, duke i hapur rrugë shqyrtimit gjyqësor të kërkesës për masën e sigurisë.
Leli Kaja dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit të SPAK, ai dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 400 mijë lekë nga administratori i një operatori ekonomik, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji në cilësinë e administratorit të shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Seanca e mëparshme ishte shtyrë për shkak se Kaja nuk kishte siguruar një avokat, ndërsa afati për caktimin e masës së sigurisë përfundonte këtë të premte, në orën 09:00.
