Momente të vështira po kalon Kris Jenner, e cila ka humbur nënën e saj, Mary Jo Shannon, në moshën 91-vjeçare.
Personaliteti televiziv 70-vjeçar ndau lajmin e trishtë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku i kushtoi nënës së saj edhe një mesazh prekës.
Në postimin e saj në Instagram, Jenner e përshkroi nënën si “zemrën e familjes”, duke theksuar se prej saj mësoi vlerat më të rëndësishme të jetës: dashurinë për familjen, mirësinë, besimin dhe rëndësinë e qëndrimit pranë njerëzve të dashur.
“Sot i dhamë lamtumirën nënës sime të mrekullueshme. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë atë që ajo përfaqësonte për mua apo dhimbjen që ndiej tani që duhet t’i them lamtumirë”, shkroi Jenner.
Më tej, ajo foli për mësimet që mori nga e ëma.
“Mamaja ime ishte zemra e familjes sonë. Ajo më mësoi gjithçka që ka vërtet rëndësi: ta duash familjen me gjithë zemër, të jesh njeri i mirë, të qëndrosh pranë atyre që do dhe të mos e marrësh asnjë çast si të mirëqenë. Na mësoi se familja është gjithçka, si të duam pa kushte dhe si të gjejmë lumturinë në momentet e vogla. Më mësoi gjithashtu si t’i përballoj vështirësitë e jetës me forcë dhe besim”, u shpreh ajo.
Kris Jenner falënderoi nënën edhe për të gjitha sakrificat që bëri për të dhe familjen.
“Mami, faleminderit për çdo sakrificë, për çdo këshillë të mençur dhe për dashurinë e pakushtëzuar që na dhurove. Do të më mungojnë bisedat tona të përditshme, buzëqeshja dhe e qeshura jote. Zemrat tona janë thyer, por gjejmë ngushëllim te mendimi se një dashuri si e jotja nuk largohet kurrë. Ajo do të jetojë gjithmonë në familjen tonë, në traditat tona dhe në çdo jetë që ke prekur.”
Ajo shtoi se do të vazhdojë ta ndiejë praninë e së ëmës përmes fëmijëve dhe nipërve e mbesave të saj.
“Kur shoh fëmijët dhe nipërit e mbesat e mia, do të shoh gjithmonë pjesë të tua tek secili prej tyre. Nuk ka asnjë pjesë të imja që të mos jetë formuar nga ti. Nëse kam bërë diçka të mirë në këtë jetë, është sepse jam përpjekur të jetoj në një mënyrë që do të të bënte krenare.”
Në fund të mesazhit të saj, Jenner shprehu mirënjohjen për faktin që pati Mary Jo Shannon si nënë.
“Çdo kujtim, çdo moment dhe çdo bekim në jetën time ishte falë teje. Do ta falënderoj Zotin çdo ditë që më bëri vajzën tënde. Zemra ime është copëtuar. Faleminderit që më dhurove fëmijërinë më të bukur dhe një jetë kaq të bekuar. Do të të dua përgjithmonë, mami. Faleminderit për gjithçka që na dhe.”
