Një armëpushim i brishtë vijon të mbahet midis Indisë dhe Pakistanit, pas orësh luftimesh dhe thirrjes së Presidentit amerikan Donald Trump ku deklaroi se do të punojë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me Kashmirin.
Shpërthime u dëgjuan në qytetet pranë kufirit gjatë natës. India tha se Pakistani kishte shkelur marrëveshjen e arritur për të ndaluar të shtënat dhe se forcat e armatosura indiane ishin udhëzuar të “merrnin masa të ashpra” ndaj çdo përsëritjeje. Në përgjigje, Pakistani tha se ishte i përkushtuar ndaj armëpushimit dhe fajësoi Indinë për shkeljet e përsëritura.
Një marrëveshje armëpushimi u arrit pas diplomacisë dhe presionit nga Shtetet e Bashkuara. Kombet e Bashkuara dhe vendet anembanë botës, përfshirë Bangladeshin, Katarin, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, e kanë mirëpritur armëpushimin, i cili u ndërmjetësua nga më shumë se 30 vende.
Trump vlerësoi udhëheqësit e të dy vendeve për marrëveshjen për të ndaluar agresionin.
“Edhe pse as nuk është diskutuar, unë do ta rris tregtinë, ndjeshëm, me të dyja këto kombe të mëdha. Përveç kësaj, do të punoj me ju të dy për të parë nëse arrihet një zgjidhje në lidhje me Kashmirin”, tha Trump në një postim në Truth Social.
Ministria e Jashtme e Pakistanit ka lëshuar një deklaratë duke vlerësuar atë që e quajti “rol konstruktiv” të luajtur nga SHBA-të së bashku me vendet e tjera mike në mbështetje të armëpushimit. Tensionet u përshkallëzuan midis shteteve fqinje pas vrasjes së turistëve muajin e kaluar në Kashmir.
India fajësoi Pakistanin për sulmin dhe nisi të mërkurën “Operacionin Sindoor” si në Pakistan ashtu edhe në Kashmir. Rajoni i Kashmirit është në zemër të konfliktit mes dy vendeve të cilat kanë mosmarrëveshje territoriale.