Xhafaj 1024x682
Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka dalë këtë të enjte, më 24 korrik, në një konferencë për mediat për të bërë një bilanc të punës së realizuar deri më tani, që po mbyllet mandati i veprimtarisë së këtij komisioni. Gjatë fjalës së tij, Xhafaj u shpreh se ky komision “e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij” ndonëse pati një mandat të kufizuar “me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes”. Xhafaj thotë se komisioni kishte në fokus tri sfida thelbësore: zhvillimin, mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit, duke kontribuar gjithashtu në forcimin e sundimit të ligjit. “Ky komision i posaçëm parlamentar ka qenë një hap i rëndësishëm për të adresuar problematika të ndjeshme dhe për të vendosur një qasje më funksionale ndaj sfidave që lidhen me qeverisjen e mirë dhe antikorrupsionin,” u shpreh Xhafaj. Ai shtoi se komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: “Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit”. Xhafaj shprehet se puna e bërë deri më tani nga ekspertët e nivelit të lartë të atashuar pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar dhe gjithë diskutimet e komentet në këto dy tryeza publike, “janë një hap i parë tejet domethënës për të ecur përpara pa vonesa dhe për të pasur në fund një produkt të certifikuar nga Bashkimi Europian e që adreson më së miri parandalimin e konfliktit të interesit dhe rregullon financimin e partive politike. Falënderues ekspertëve për kontributin dhe pjesëmarrësve në këto tryeza”. Arritjet e Komisionit sipas Xhafajt Duke folur për impaktin e punës së bërë në këtë komision nga rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ai përmendi disa nga arritjet, të cilat i çmon si vlera dhe risi të këtij procesi kompleks. “1.Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me inisiativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim. 2.Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës – te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje – te procesi ligjvënës – dhe pastaj te zbatimi e monitorimi. 3.Ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajon t’i ndërmarrin. 4.Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vleresimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumentave ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit. 5.Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Ai është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë. 6.Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e hartimit të dy dokumentave”, tha Xhafaj teksa përmendi 11 tryeza debati dhe diskutimi, 8 forume dialogu qytetar; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit etj. Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, në përfundim të këtij takimi u ndal lidhur me dy projektligjet, atë “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe atë për “Financimin e partive politike”. Sipas tij “Është përpara një rrugë e gjatë për finalizimin e kësaj pune dhe natyrisht që mbetet në vullnetin e Parlamentit në legjislaturën e re se si do t’i qaset këtyre dy çështjeve të cilat lidhen edhe me detyrimet që vendi ynë ka në procesin negociues me BE-në.”
FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights