Në një intervistë për Deutche Welle, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se rruga e Serbisë drejt integrimit europian ecen paralelisht me detyrimet e saj për rikthimin e dialogut me Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Zgjedhja për në BE sjell përgjegjësi. Askush nuk e detyron Serbinë. Por nëse thotë “po”, duhet të përmbushë detyrimet. Nëse arrijmë ta shpjegojmë më mirë pse BE-ja është e dobishme për Serbinë dhe sjellim investitorë që hapin vende pune, atëherë jemi në rrugë të mire”, tha Kos.
E pyetur për mungesën e flamujve të BE-së në protestat e Serbisë kundër Vuçiç, ajo dha këtë përgjigje:
“Kam folur me shumë qytetarë, profesorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Serbi. Ja çfarë më kanë thënë në mënyrë të përmbledhur: së pari, thonë se BE-ja e mbështet presidentin Vuçic. Së dyti, ju na keni bombarduar – edhe pse ishte NATO. Së treti, ju doni që Serbia të njohë Kosovën. Dhe së katërti, nuk duam të zemërojmë Rusinë. Këto ndjenja duhet të merren seriozisht. Duhet të komunikojmë më mirë përfitimet e zgjerimit”, tha ajo.
Sa i përket rrugëtimit të Ukrainës drejt BE-së, komisionerja Kos, vlerësoi reformat që po bëhen ndërkohë që vendi i tyre bombardohet nga Rusia. Ajo njoftoi se janë gati të hapin kapitullin e parë për çështjet themelore dhe deri në fund të vitit synohen të hapen të gjithë kapitujt që më pas të fillojnë negociatat e plota.