Agjencia Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA) është e interesuar për çdo informacion në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drogave të paligjshme, krimin e organizuar dhe veprimtarinë e pastrimit të parave të lidhura me drogën në Shqipëri.

Për këtë arsye, ajo ka aktivizuar një linjë komunikimi në Tiranë ku inkurajon të gjithë ata që kanë informacione të tilla, ta ndajnë me DEA-n duke premtuar se gjithçka do të mbetet konfidenciale.

“DEA inkurajon këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e parave nga droga që të ndajë informacionin me punonjësit e DEA-së në WhatsApp në numrin: +1 571 502-7846 ose me email në: albania_DEA_tipline@state.gov. Të gjitha informacionet do të mbahen konfidenciale”, njoftoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri.

Ambasada falenderon ndërkohë të gjithë ata njerëz që kanë dërguar informacione të besueshme për të ndihmuar operacionet e DEA-s.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve dhe parandalimin e rrjedhës së drogave të paligjshme drejt Shteteve të Bashkuara”, njoftoi ambasada amerikane.