Policia e Shtetit informon se janë zbuluar dy lokale në Tiranë në afërsi të shkollave, ku zhvilloheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin dhe një tjetër në Koplik të Malësisë së Madhe.
Sipas njoftimit, Policia bën me dije se si rezultat i monitorimit të përditshëm të territorit përreth institucioneve arsimore, në zbatim të planit të posaçëm të masave, të prezantuar me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, me objektiv madhor garantimin e sigurisë së nxënësve, shërbimet e DVP Tiranë finalizuan operacionin e koduar “WEB page”.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, u evidentua se në dy lokale në afërsi të shkollave, organizoheshin dhe viheshin ilegalisht baste sportive, nëpërmjet celularëve.
Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç, si dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.
Në njërin prej lokaleve, i administruar nga shtetasi K. Ç., 48 vjeç, u kap në flagrancë duke vënë baste sportive shtetasi D. Gj., 24 vjeç, ndërsa në të njëjtin lokal ndodhej edhe shtetasi I. M., 54 vjeç, i përfshirë në këtë veprimtari.
Ndërsa në lokalin tjetër, u konstatua një 17-vjeçar, i punësuar në këtë subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 celularë, me faqe aktive për vënien e basteve sportive.
Gjithashtu, Policia informon se ka zbuluar në Koplik një lokal të përshtatur për lojëra fati dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë, është arrestuar në flagrancë një 47-vjeçar, punonjës i lokalit. Shpallet në kërkim administratori i lokalit, ndërsa janë sekuestruar
6 makineta për lojëra fati, një qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një grirëse për lëndët narkotike.
