Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, gjatë diskutimeve mbi ecurinë e përmbushjes së piketës mbyllëse për Kapitullin 2 “Lëvizja e lirë e punëtorëve”, se procesi i integrimit europian duhet të shoqërohet me analiza reale mbi ndikimin ekonomik dhe social në vend.
Shehu u shpreh se, megjithëse është pro procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të jetë më realiste në vlerësimin e kushteve aktuale dhe kapaciteteve të saj për përballimin e standardeve të tregut të përbashkët europian.
Ai ngriti shqetësime për diferencat ekonomike dhe sociale mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, duke përmendur nivelin e pagave, financimin e sistemit shëndetësor dhe të pensioneve, si dhe ndikimin që këto diferenca mund të kenë në lëvizjen e lirë të punëtorëve.
Sipas Shehut, lëvizja e lirë e punëtorëve dhe hapja e tregut të punës duhet të shoqërohen me politika konkrete për rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, në mënyrë që të shmanget, siç tha ai, largimi i mëtejshëm i qytetarëve nga vendi.
“Unë uroj sa më shpejt që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por duke qenë pjesë e tij duhet të mendojmë edhe për konsolidimin e identitetit të kombit shqiptar. Jo për zbrazjen e Shqipërisë, që pastaj të mbushet me të tjerë që vijnë nga vende të tjera, shumë larg. Nuk kam asnjë kundër askujt, por në fund të fundit çdo vend duhet të mendojë për identitetin e tij dhe ne jemi për të menduar për identitetin shqiptar. Kjo është çështja”, tha Shehu.
Shehu theksoi gjithashtu nevojën për transparencë më të madhe mbi ndikimin ekonomik të përafrimit me BE-në dhe paralajmëroi se, pa masa mbështetëse ekonomike dhe sociale, procesi i integrimit mund të mos sjellë efektet e pritshme në stabilizimin e popullsisë dhe tregut të punës.
Debati u zhvillua në kuadër të shqyrtimit të Kapitullit 2 të negociatave me Bashkimin Evropian, që lidhet me lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe koordinimin e sistemeve sociale në vendet anëtare të BE-së, ku e pranishme ishte zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani.
