Kjo e hënë, 15 qershor, shënon ditën e 16-të të protestës qytetare që mbahet në kryeqytet.
Fillimisht nisi kundër projektit në Zvërnec, ndërsa herë pas here protestuesit shpalosin problematika të tjera përmes pankartave. Ata kanë kërkuar vazhdimisht dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij.
Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, nga bulevardi Dëshmorët e Kombit pohoi se rruga për në aeroport u bllokua nga disa të rinj dhe jo nga organizatorët e kësaj lëvizjeje.
“Marshimi ishte i organizuar nga grupe të rinj, që quhen gjenerata Z, më e bukur e shekullit të XXI.
Duke qenë se marshimi nuk ka pasur të bëjë me grupin nismëtar, nga sot do të jem unë në balle të marshimit bashkë me studentët. Ata do të jenë pararoja e këtij marshimi pasi kanë një betejë të pambaruar.
Kemi disa beteja që i kemi bërë bashkë, deri sa ky të iki dhe të shporret përgjithmonë. Kemi thënë çdo natë se kjo është protesta më model. Ndaj si mund të bllokojmë ne aeroportin ku vjen mërgata.
Asnjëherë nuk do të ketë tentativa për bllokimin e aeroportit. Turistët të vinë të na bashkohen. Sdo të ketë dhunë deri në fund, deri sa të shporret kjo klasë politike.
Kjo është revolta më e bukur popullore, do t’i shkojmë deri në fund këtij revolucioni bashkë me ju. Shumë nga kërcënimet që na vinë privatisht janë dora e Edi Ramës, përmes dorës së Saliut.”, tha ai.
“Bota ka marrë vesh sesa të fortë dhe sa atdhetarë janë shqiptarët. Jemi këtu t’ju themi qeverisë dhe opozitës të japin dorëheqjen.
Me zemër shqiptarët jashtë dhe brenda janë këtu, por janë këtu dhe të gjitha forcat për të thënë “Boll është boll!
Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, politikanë e pushtetarë”.
