Kroçera luksoze “Voyager of the Seas”, me mbi 3600 pasagjerë në bord, ka ankoruar për herë të parë në portin e Sarandës, duke e shtuar këtë destinacion në itinerarin e saj.
Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila theksoi se përpunimi i pasagjerëve u realizua pa probleme nga porti, i cili vetëm në 8 muajt e parë të vitit ka regjistruar një rritje prej 21% të numrit të udhëtarëve krahasuar me një vit më parë.

Ajo shtoi se kjo mbërritje i bashkohet listës së 70 kroçerave të planifikuara të vizitojnë Sarandën gjatë këtij sezoni.
Anija, që lundron nën flamurin e Bahamasit, solli turistë nga vende të ndryshme, përfshirë Australinë, SHBA-të dhe Kanadanë. Pasi zbarkuan, vizitorët u shpërndanë në grupe sipas tureve të zgjedhura drejt Butrintit, Kalanë e Lëkurësit, Syrit të Kaltër, Gjirokastrës dhe Përmetit.
Autoritetet vendore, përfshirë Portin Detar, Policinë Kufitare, Kapitenerinë dhe Doganën, kanë marrë masat për të garantuar një sezon turistik të qetë, i cili do të vijojë edhe gjatë muajve të vjeshtës me ardhjen e turistëve të rinj.
