Ka dështuar për herë të 28-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Vetëvendosje nuk ka arritur t’i sigurojë 61 vota për formimin e komisionit për të votuar në mënyrë të fshehtë.
Ashtu sikurse edhe në seancat e kaluara parlamentare, skenari ishte i njëjtë, seanca zgjati pak minuta, dhe vazhdon pas 48 orësh, në këtë rast e radhës do të jetë më 9 qershor.
Partitë kanë refuzuar të propozonin një përfaqësues që do të mundësonte zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Propozimi për votim të fshehtë u paraqit më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për postin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme në votimet e hapura.
Votimi i fshehtë po kundërshtohet nga partitë që më parë ishin në opozitë, të cilat e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Sipas tyre, mënyra e propozuar nga LVV-ja përmes votimit të fshehtë është në kundërshtim me Kushtetutën. Ato kanë kërkuar nga Gjykata të ndërmarrë një “masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa çështja të trajtohet me prioritet dhe të merret një vendim”.