Manastirliu

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot Kornizën e re Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar, një dokument që synon modernizimin e sistemit arsimor dhe harmonizimin e tij me standardet bashkëkohore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për rëndësinë e këtij dokumenti dhe procesin që e shoqëroi përgatitjen e tij.

“Sot jemi në një tjetër moment të rëndësishëm për arsimin në Shqipëri, në prezantimin e Kornizës Kurrikulare të përditësuar. Në janar të këtij viti, grupi i punës nisi një proces intensiv, i cili tashmë ka përfunduar dokumentin strategjik të sistemit arsimor, pikërisht Kornizën Kurrikulare. Korniza Kurrikulare e modernizuar reflekton nevojat aktuale për përcaktimin e linjave që do të kenë nesër tekstet mësimore, kurrikula bërthamë, programet lëndore dhe materialet ndihmëse, duke përfshirë edhe platformat digjitale”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu, duke vlerësuar kurrikulën ekzistuese, u ndal te nevoja për rishikimin e saj.

 

“Ky proces u bazua në një analizë të thelluar të kurrikulës ekzistuese, e cila filloi të zbatohej për herë të parë në vitin 2014-2015, kur u përfshimë për herë të parë programe lëndore të Cambridge, Pearson dhe Oxford-it, si dhe alternativa të tjera të teksteve. Pas një dekade, duke vlerësuar standardet europiane dhe kërkesat e reja, kemi konsideruar të domosdoshme përmirësimin e Kornizës Kurrikulare, për të reflektuar kompetenca të reja dhe për të adresuar ndryshimet që kërkon sistemi arsimor”, tha Manastirliu.

 

Korniza e Re Kurrikulare është një hap vendimtar drejt transformimit të arsimit në Shqipëri, me fokus te kompetencat digjitale të nxënësve, integrimi i teknologjisë në mësimdhënie, edukimin mediatik, si dhe në edukimin kulturor dhe identitetin kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights