Policia e Shtetit njoftoi sot se si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional, ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, arrestuan provizorisht, në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy persona.
Konkretisht u vu në pranga, L. T., 37 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u arrestua I. Ç., 40 vjeç, për të cilin Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Policia njoftoi se nga hetimet dyshohet se më datë 07.05.2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri (pistoletë), shtetasin R. I., 66 vjeç, në ambientet e lokalit të këtij të fundit, pas një konflikti me sende të forta, ndërmjet disa shtetasve, ndër ta, 40-vjeçari i kapur në Korfuz.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë rast.
Ndërkaq, në bashkëpunim me homologët grekë, Interpol Tirana po punon për finalizimin e procedurave për ekstradimin në Shqipëri, të 2 të ndaluarve.
