Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me përplasjen e ditës së djeshme, 3 shtator, mes dy biznesmenëve në zonën e Radhimës në qytetin e Vlorës.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e ka cilësuar si një konflikt banal dhe tejet brutal, prandaj thekson se nga kjo duhet të merret një mësim.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore në zonë na ka bindur se duhet që t’i japim fund asaj historie, por duhet edhe që t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike.
Ata duhet të kuptojnë që nuk mund ta cënojnë me qasjet dhe sjelljet e tyre cënuese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni i Shqipërisë turistike, i cili shkon më shumë se transformimi fizik i vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet, në radhë të parë nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar, edhe me njëri-tjetrin, lë pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë.
Rama thotë se situata e djeshme ku një grup i armatosur mësyjnë te hoteli në Radhimë dhe kërcënojnë pronarin do të kthehet në një shembull. Ai thekson se situata të tilla nuk mund të dëmtojnë e as më pak të prishin misionin dhe imazhin e Shqipërisë turistike.
“Prandaj brutaliteti i çdo lloj natyre duhet që të marrin përgjigjet që kërkojnë rëndësia e një misioni të tillë kombëtar. Autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli, me dhunë mbi tjetrin, me habutllëk mbi klientët, me papërgjegjshmërinë mbi hapësirën e përbashkët publike, apo me akte arrogance mbi komunitetin, duhet të bëhen shembull. Shembull i një vije të kuqe e të domosdoshme për Shqipërinë turistike.“
Rama thotë se situata e djeshme ku një grup i armatosur mësyjnë te hoteli në Radhimë dhe kërcënojnë pronarin do të kthehet në një shembull. Ai thekson se situata të tilla nuk mund të dëmtojnë e as më pak të prishin misionin dhe imazhin e Shqipërisë turistike.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë të gjithë tokën e të gjithë asaj zone të atij konflikti banal e brutal të ditës së djeshme.
Sipas ligjit ta kthejmë në një aset publik e turistik për të gjithë, në një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit, një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësueset të Mesdheut. Si dhe do të ekspozohen të tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri.
Një adresë e re informimi dhe një adresë e re e dijes, e turizmit të eksperiencës. Një tokë që ndau me dhunë të gjithë investitorët fqinjë, duke përdhosur të gjithë Shqipërinë do të kthehet në një hapësirë që i bashkon të gjithë. Në një territor paqeje, nën hijen dhe bekimin e pemës së paqes, pemës së bekuar të ullirit”, tha Rama.
