Kërkesa për të votuar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u shoqërua sot me debate në seancën plenare mes mazhorancës dhe opozita.
Duke marrë fjalën në Kuvend, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, deputeti Blendi Klosi u shpreh se “kjo mazhorancë ka ardhur me votën legjitime të qytetarëve shqiptarë të 11 majit dhe do të bëjë reformat e saj për t’i shërbyer më mirë Shqipërisë”.
Klosi hodhi poshtë pretendimet e opozitës se vendimi për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u mor në mbledhjen e Asamblesë së PS-së.
“Kritikojnë që vendimi është marrë në Asamblenë e PS-së. Nuk është e vërtetë! Është bërë një diskutim për mënyrën se si do të funksionojë jeta jonë parlamentare për të përmbushur atë që është objektivi ynë madhor: brenda vitit 2027 do të mbyllim negociatat dhe brenda vitit 2030 do ta ngjisim Shqipërinë në familjen e Bashkimit Europian. Ky është objektivi dhe premtimi ynë i madh para shqiptarëve”, tha Klosi.
Klosi theksoi se në shërbim të atij vendimi do të ecet më shpejt.
“Ne jemi deputetë me eksperiencë dhe e dimë se shumë gjëra nuk kanë ndryshuar, por një gjë ka ndryshuar. Janë reduktuar shumë edhe në këtë sallë (opozita). Kemi qenë të barabartë në këtë sallë gjatë gjithë viteve, por po i humbin këto vende këtu”, shtoi ai.
Klosi theksoi se opozita nuk bën atë që i ka premtuar qytetarëve në fushatë elektorale, por kërkojnë ta shtyjnë me 10 ditë diskutimin.
“Ne nuk kemi kohë për të humbur. Nuk i kemi as 7 ditë për të humbur”, tha ai.
Seanca plenare e Kuvendit po zhvillohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me kërkesën për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Rregullore. Opozita nuk është dakord për këto ndryshime, pasi sipas saj, janë të njëanshme dhe po i ngushtojnë hapësirën opozitës.