Rusia ndërmori një sulm të madh ajror ndaj Ukrainës gjatë natës, duke lënë të paktën tetë të vrarë dhe më shumë se një duzinë të plagosur, raportuan sot autoritetet ukrainase dhe mediet vendase.
Sipas raportimeve, dhjetëra raketa dhe qindra dronë goditën qytete në mbarë Ukrainën, përfshirë zona në perëndim të vendit, larg kufirit me Rusinë. Shkalla e plotë e dëmeve nuk është bërë ende e ditur.
Në qytetin qendror të Kryvyi Rih, një raketë goditi shtëpinë e një familjeje të madhe, duke vrarë gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë, 5 dhe 12 vjeç.
Tetë persona të tjerë mbetën të plagosur, sipas “Kyiv Independent”.
Dy persona të tjerë humbën jetën në Kiev dhe në rajonin e Poltavës, ndërsa pesë persona u plagosën në Lviv, sipas autoriteteve lokale të cituara nga mediet ukrainase.
Këto raportime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Në Lviv, pranë kufirit me Poloninë, sulmet me raketa shkaktuan zjarre në dy pallate banimi, ndërsa në Kiev disa ndërtesa u dëmtuan nga mbetjet e raketave të rrëzuara. Dëshmitarët raportuan disa valë shpërthimesh.
Forcat Ajrore të Ukrainës lëshuan alarme në të gjithë vendin dhe sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në nivel kombëtar.
Sulmi ndodhi pasi presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi për një ofensivë të madhe ajrore ruse, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës së komandës së Forcave Ajrore.
Forcat ukrainase kanë deklaruar vazhdimisht se nuk disponojnë sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore për të neutralizuar raketat ruse, veçanërisht raketat balistike, të cilat janë shumë të vështira për t’u rrëzuar për shkak të shpejtësisë së lartë.
Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve që disponojnë sistemet e avancuara Patriot, të rrisin mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
