TIRANË – Bashkëpunimi mes Japonisë dhe Shqipërisë po merr formë në disa drejtime, përmes asistencës teknike, mbështetjes me grante, trajnimeve dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore. Përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), përvoja dhe praktikat japoneze po përcillen në institucione dhe fusha të ndryshme në Shqipëri.
Një nga shembujt vjen nga siguria sizmike. Prof. Asoc. Dr. Edmond Dushi, nga Instituti i Gjeoshkencave i Universitetit Politeknik të Tiranës, ndoqi në Japoni një program të specializuar për zvogëlimin e riskut sizmik për ndërtesat kritike.
Gjatë trajnimit në qendrën JICA Tsukuba, ai u njoh me praktikat japoneze për vlerësimin dhe përforcimin e ndërtesave, izolimin sizmik dhe vlerësimin e dëmtimeve pas tërmeteve. Përvoja, sipas tij, forcoi nevojën që puna për sigurinë e spitaleve, shkollave, ndërtesave qeveritare dhe qendrave të emergjencave të nisë përpara një tërmeti.
Një tjetër përvojë lidhet me administratën publike. Marcela Kërëku, Drejtore në Departamentin e Administratës Publike, mori pjesë në programin “National Government Administration for Senior Officials” në Japoni, ku u njoh me praktika të administrimit të bazuara në disiplinë, përgjegjësi institucionale, konsultim dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Pas kthimit në Shqipëri, ajo e përcolli këtë përvojë edhe në trajnime të Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, duke e kthyer eksperiencën e fituar në një mundësi për reflektim dhe shkëmbim profesional.
Këto përvoja janë pjesë e rrjetit të Shoqatës JICA Alumni të Shqipërisë (JAAA), që bashkon profesionistë shqiptarë të trajnuar në Japoni në fusha si administrata, mjedisi, bujqësia, menaxhimi i fatkeqësive, arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik.
Presidenti i JAAA, Dr. Sajmir Hoxha, thekson se një nga synimet e shoqatës është që njohuritë dhe eksperiencat e fituara në Japoni të ndahen dhe të përdoren në dobi të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Në këtë kuadër, JAAA ka zhvilluar aktivitete të përbashkëta me partnerët japonezë dhe shoqatat homologe në rajon, ndërsa ka kontribuar edhe në promovimin e kulturës japoneze në Shqipëri.
Përmes këtyre programeve, bashkëpunimi Shqipëri-Japoni nuk kufizohet vetëm te asistenca, por synon të krijojë kapacitete që mbeten në Shqipëri: profesionistë që marrin njohuri në Japoni, i përshtatin ato me realitetin shqiptar dhe i përcjellin më tej në institucionet ku punojnë.
