Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar si Izraelin ashtu edhe Iranin për shkelje të armëpushimit në Lindjen e Mesme, duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për situatën e tensionuar në rajon.
Në një prononcim për mediat para nisjes për samitin e NATO-s në Hagë, Trump u shpreh se, “ne në thelb kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe aq fort sa nuk e dinë se çfarë m**in po bëjnë.”
Presidenti Trump u shpreh se nuk është i kënaqur me sjelljen e të dyja vendeve, por theksoi me forcë se është “shumë i pakënaqur” me Izraelin. Trump tha se nuk është i sigurtë nëse iranianët e lëshuan qëllimisht raketën këtë mëngjes drejt Izraelit. Ai thekson se do të përpiqet t’i jap fund shkeljeve të armëpushimit.
Ai kritikoi veprimet e Izraelit, duke i konsideruar të papërshtatshme në këtë periudhë delikate të paqes së ndërmjetësuar.
Ndërkohë, Trump bëri një deklaratë të fortë për kapacitetet bërthamore të Iranit, duke thënë se ato janë “shkatërruar” dhe se Teherani nuk do të ketë më mundësi të rindërtojë programin e tij bërthamor.
Ai e paraqiti këtë si një fitore të madhe të politikës së jashtme amerikane në luftën kundër përhapjes së armëve bërthamore në rajon.
Megjithatë, në një postim më pas në rrjetin e tij social Truth Social, Trump paralajmëroi se çdo sulm i Izraelit ndaj Iranit në këtë moment do të përbënte një “shkelje të rëndë” të armëpushimit dhe do të rrezikonte përshkallëzimin e konfliktit në një shkallë edhe më të gjerë. Ai iu drejtua Izraelit me një mesazh të qartë: “Ktheni pilotët tuaj në shtëpi, tani.”
Ishte vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë që në orët e para të mëngjesit njoftoi arritjen e një armëpushimi.
Megjithatë, pak orë më vonë pasi hyri në fuqi, Izraeli akuzoi Iranin se kishte lëshuar raketa në drejtim të tyre. Këto akuza u mohuan nga Teherani dhe u konsideruan propagandë dezinformimi.