Kryetarja e Komisionit për Turizmin, Kulturën dhe Diasporën Ina Zhupa, mori pjesë në takimin e përbashkët të komisioneve parlamentare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, organizuar me mbështetjen e OSBE-së, mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe sigurinë klimatike. Gjatë fjalës së saj, Zhupa theksoi se mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në rajon.

Statusi i plotë i Ina Zhupës:

Strugë!
Takimi i përbashkët i komisioneve parlamentare Shqipëri-Maqedoni e Veriut për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta mjedisore dhe ato që lidhen me sigurinë klimatike me mbështetjen e OSBE.

Ndryshimet klimatike nuk janë më një problem i së ardhmes. Ato po ndikojnë sot drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë, në ekonominë, turizmin, trashëgiminë natyrore dhe kulturore, si dhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë. Përmbytjet, zjarret, ndotja, mungesa e burimeve ujore dhe degradimi i ekosistemeve janë sfida që nuk njohin kufij shtetërorë dhe që kërkojnë bashkëpunim të përbashkët.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë jo vetëm kufij dhe pasuri natyrore të përbashkëta, por edhe përgjegjësinë për t’i mbrojtur ato për brezat e ardhshëm. Liqenet tona, zonat e mbrojtura, trashëgimia kulturore dhe potenciali turistik i rajonit varen nga aftësia jonë për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe për të vepruar me vizion afatgjatë. Rekomandimet e UNESCO për liqenin e Ohrit, janë detyra për të dy anët e kufirit dhe duhet jetë përgjegjësi e shtuar qe secila të zbatoj rekomandimet. Mënyra si trajtojmë zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe anasjelltas ndikon të dyja shtetet. Duhet kuptojmë që mbrotja e mjedisit është mbrojtje e vetë shoqërisë.

Ky forum është një mundësi e vlefshme për të ndarë eksperienca, për të forcuar partneritetet dhe për të ndërtuar qasje të koordinuara ndaj sfidave që prekin të ardhmen tonë të përbashkët.