Një 23-vjeçar shqiptar ka arritur të arratiset të enjten në mëngjes, më 17 korrik, gjatë transportit të të burgosurve në qytetin Baden të kantonit Aargau, në Gjermani. Pavarësisht një operacioni të menjëhershëm të kërkimit, ku u angazhuan dhe qentë e njësive speciale, ai vazhdon të jetë në arrati.
Media gjermane Badener Tagblatt shkruan se shqiptari 23-vjeçar kishte veshur pantallona të zeza, një xhaketë të zezë me mëngë me motive të bardha dhe këpucë të bardha. Në momentin e arratisjes, ai i kishte ende prangat në duar. Sipas Policisë së kantonit të Aargaut, i arratisuri nuk përbën rrezik për publikun.
Zëdhënësi i policisë, Pascal Wenzel, shpjegon se arsyeja e arrestimit të të riut ishte një “vjedhje ose mashtrim pasuror”. Ai shtoi se momentalisht nuk mund të jepen informacione të mëtejshme nga ana e policisë.
Pak më shumë detaje jep Annette Kielholz, zëdhënëse e Departamentit të Ekonomisë dhe Punëve të Brendshme: “Për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, nuk mund të komentojmë për veprat konkrete. I arratisuri ishte dënuar tashmë në shkallën e parë, por vendimi nuk është ende i formës së prerë.” Ai ishte në proces transferimi në një burg tjetër rajonal kur u arratis.
Pas arratisjes së të riut shqiptar, policia kërkon ndihmën e qytetarëve gjermanë duke publikuar dhe një foto të tij, por nuk ka bërë të ditur identitetin.

Të tjerë janë arratisur edhe më parë nga burgu i Badenit
Rasti i fundit i ngjashëm ndodhi në tetor të vitit 2022, kur një i burgosur u arratis gjatë një transporti të burgosurish në Aarau. Thuhet se Amin T. tani ndodhet në Tunizi. Ndryshe nga rasti aktual në Baden, disa të burgosur janë arratisur më parë direkt edhe nga burgu i Badenit.
Në vitin 2011, një treshe e të burgosurve arriti të arratisej pasi kishte krijuar një dalje nga një pjesë e dritares, ku kishin liruar një vidë.
Nga aty, zbritën 15 metra me çarçafë të lidhur. Edhe në vitin 2016, dy të burgosur përdorën çarçafë për t’u zbritur dhe u zhdukën. Njëri prej tyre u kap më vonë në Danimarkë teksa përpiqej të hynte me emër të rremë.