Spak 770x434

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka dërguar për gjykim Luis Çelën.

Çela është i akuzuar për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.

Njoftimi i SPAK: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet paraprake të procedimit penal nr.32 të vitit 2022 dhe paraqiti para Gjykatës kërkesën për dërgimin për gjykim në ngarkim të të pandehurit:

 

Luis Çela, i akuzuar për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formën e posaçme atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal apo organizata kriminale”, parashikuar nga neni 284/1, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

 

Procedimi penal filloi mbi bazën e kërkesë për ndihmë të ndërsjelltë juridike të Prokurorisë Publike pranë Gjykatës së Apelit të Kalamatës, Greqi me qëllim ushtrimin e ndjekjes penale në ngarkim të shtetasit Luis (Argen) Çela, i biri i Qerim dhe i Selvi, lindur më 3.03.1981, në Buzuk, Skrapar, me akuzën “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”.

Në analizë të provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak ka rezultuar dhe provuar se i pandehuri Luis Çela, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe grekë janë përfshirë në një grup kriminal të strukturuar në mënyrë hierarkike dhe të strukturuar operacionalisht, me perspektivën e veprimtarisë kriminale të vazhdueshme dhe të planifikuar, e cila përbëhej nga më shumë se tre persona, me qëllim të përbashkët dhe duke vepruar mes tyre, synonin  trafikimin e lëndëve narkotike në format speciale të kultivimit të bimëve të gjinisë së kërpit indian (kanabis) në zona të ndryshme në Messinia dhe të blerjes, shitjes, zotërimit dhe të magazinimit të lëndëve narkotike (drogës) të kërpit indian (kanabis) të papërpunuar. Synimi ishte prodhimi dhe grumbullimi nga plantacionet që ata kultivonin me qëllim përfitimin e paligjshëm nga trafikimi. Anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal merreshin me trafikimin e drogave të tjera, si kokaina, duke përdorur rrjete të organizuara për shpërndarje dhe shitje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights