Një efektiv i forcave kombëtare të sigurisë të njësisë së Shkodrës gjeti vdekjen si pasojë e motit të keq që përfshiu kryeqendrën e veriut. Nikoll Lekndreaj 51-vjeç ka qenë duke u kthyer në shtëpi pasi ishte takuar me disa miq të tij, kur rrugës për në fshatin Bardhaj rreth orës 02:50, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga, duke rënë në një kanal me ujë. Rrjedha e ka marrë me vete trupin e 51-vjeçarit duke i shkaktuar vdekjen e tij. U deshën disa orë kërkime nga koleget e tij dhe familjarët që të gjendej trupi i pajetë. Fqinjët tregojnë tmerrin e krijuar një natë më parë kur uji mbuloi rrugën. “Koha ka qenë shumë e vështirë, ka qenë një stuhi e rrëmbyeshme shumë. Uji që ka kaluar në kanal ka qenë rreth 1 metër sipër asfaltit, mbi rrugë. Kanalet janë të papastruara. Njeri i mirë shumë, i respektueshëm.” Banorët janë shprehur te shokuar nga humbja e jetës së efektivit. “Ka qenë për faqe të zezë. Problem nuk është i shiut, është i kanaleve. Niveli i ujit ka qenë 70 cm. Shumë djalë i mirë, janë të rrallë njerëzit si Nikolla.” Ndërkohë si pasojë e stuhisë Shkodra u paralizua për 3 orë, ku bllokimi i rrugëve shkaktoi edhe depërtimin e ujit në disa biznese. Disa zona qëndruan pa energji elektrike si pasojë e defekteve.