Kreu i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi, deklaroi se pritet të zhvillohet një tjetër mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet më gjerësisht çështja që lidhet me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.
Sipas Çuçit, mbledhja pritet të zhvillohet pasi SHISH të përfundojë auditimin e thelluar, i cili do të verifikojë nëse ka pasur pasoja për funksionimin e Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Në lidhje me këtë çështje, Presidenti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të hënën dhe aty pati një informacion paraprak nga SHISH. Po në Këshill u la detyra që të bëhet sa më shpejt një auditim i thellë në lidhje me ndonjë pasojë të mundshme, nëse ka, për funksionimin e SHISH dhe besoj se shumë shpejt do të kemi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku do të diskutohet edhe më gjerësisht pasi të jetë bërë ky auditim”, deklaroi Çuçi në Komisionin e Sigurisë.
Ai tha se auditimi do të kryhet nga vetë SHISH në funksion të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa theksoi se edhe Komisioni parlamentar i Sigurisë ka instrumentet e tij të kontrollit.
“Edhe komisioni ynë ka një rol në këtë aspekt, por duhen ndjekur të gjitha hallkat shtetërore dhe së pari duhet lënë Prokuroria të hetojë deri në fund përfshirjen e ish-drejtoreshës së SHISH në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me sigurinë ose jo”, tha Çuçi.
Sipas tij, pasi të qartësohet situata, Komisioni mund të thërrasë për raportim institucionet e sigurisë.
“Pasi të kemi një qetësim të situatës, edhe ne kemi instrumentet tona për të thirrur për të raportuar institucionet e sigurisë për këtë çështje. Ta bëjë Prokuroria e qetë punën e saj dhe të kalojmë këto filtra të informacionit që vijnë nga një institucion kaq i rëndësishëm siç është SHISH dhe pastaj jemi dhe ne. Me kohën do të sqarohen të gjitha përgjegjësitë e secilit, qoftë penale, qoftë administrative”, deklaroi ai.
Çuçi foli edhe për nismën e Partisë Demokratike për mocion lidhur me çështjen, duke bërë të ditur se kërkesa pritet të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve.
“Për sa i takon iniciativave politike, jam informuar që PD ka bërë një kërkesë për mocion për këtë çështje dhe kjo çështje mendoj që do të diskutohet në mbledhjen e Kryetarëve, që në dijeninë time është lënë për nesër”, tha Çuçi.
