Harvard 1024x675

Universiteti i Harvardit ka ngritur një padi kundër administratës Trump për ngrirjen e granteve federale për universitetin prestigjioz amerikan. Padia e ngritur është pjesë e tensioneve që janë përshkallëzuar javën e kaluar kur institucioni elitar hodhi poshtë një listë kërkesash që administrata Trump tha se ishin krijuar për të frenuar iniciativat e diversitetit dhe për të luftuar antisemitizmin në shkollë.

Presidenti Donald Trump ngriu 2.2 miliardë dollarë fondet federale dhe kërcënoi gjithashtu statusin e universitetit të përjashtuar nga taksat. “Pasojat e vendimeve të qeverisë do të jenë të rënda dhe afatgjata”, tha presidenti i Harvardit, Alan M. Garber në një letër drejtuar universitetit.

Garber tha se ngrirja e fondeve ndikoi në kërkime kritike, duke përfshirë studimet mbi kancerin tek fëmijët, sëmundjen e Alzheimerit dhe sëmundjen e Parkinsonit.

“Në javët e fundit, qeveria federale ka nisur një sulm të gjerë ndaj partneriteteve kritike të financimit që e bëjnë të mundur këtë kërkim”, thuhej në padinë e shkollës.

Shtëpia e Bardhë u përgjigj më vonë të hënën mbrëma në një deklaratë.

“Saga e ndihmës federale për institucionet si Harvardi, të cilat pasurojnë burokratët e tyre tepër të mbipaguar me dollarë taksash nga familjet amerikane në vështirësi po i vjen fundi. Fondet e taksapaguesve janë një privilegj dhe Harvardi nuk arrin të përmbushë kushtet bazë të kërkuara”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Field.

Përveç financimit, administrata Trump ditë më parë kërcënoi gjithashtu aftësinë e Harvardit për të regjistruar studentë ndërkombëtarë. Kampusi i Harvardit ka pasur probleme me antisemitizmin, tanimë janë krijuar grupe pune për të punuar për këtë problem. Universiteti do të publikojë raportin e dy grupeve të punës që shqyrtojnë paragjykimet antisemitiste dhe anti-myslimane.

Universiteti i shquar amerikan nuk është i vetmi institucion që përballet me ngrirjen e fondeve federale, të cilët luajnë një rol të madh në financimin e zbulimeve të reja shkencore. Administrata ka synuar institucione të tjera private të Ivy League, duke përfshirë pezullimin e 1 miliardë dollarëve në Universitetin Cornell dhe 510 milionë dollarëve në Universitetin Brown.

Të tjerë si Universiteti i Kolumbias, epiqendra e protestave pro-palestineze vitin e kaluar, kanë rënë dakord me disa kërkesa, pasi u kërcënuan nga administrata amerikane për ngrirjen e 400 milionë dollarë fonde federale.

Politikanë të shumtë demokratë dhe universitete të njohura në të gjithë vendin kanë shprehur mbështetje për Harvardin, por administrata e Trump ka këmbëngulur që universiteti të kërkojë falje. Bllokimi i fondeve për universitetin ngre pikëpyetje se sa larg është e gatshme të shkojë administrata e presidentit. Sido që të ndodhë, një betejë ligjore ka të ngjarë që të hapet në të ardhmen dhe shumë akademikë priten të ngrenë padi të tjera.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights