1 54 696x464

Në Samitin IV të Diasporës foli sot edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në panelin Identiteti kombëtar dhe qendrat kulturore- Institucionalizimi i diplomacisë kulturore”.

Paneli u përqendrua në rolin kyç që qendrat kulturore luajnë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar në diasporë.

Ministri Gonxhja e vlerësoi diasporën si një aset i jashtëzakonshëm në nivel kombëtar, në një botë gjithnjë e më shumë të globalizuar, ku kufijtë fizikë zbehen dhe lidhjet njerëzore, kulturore dhe ato profesionale përforcohen gjithnjë e më shumë.

“Për të gjitha shtetet por dhe për ne që e kemi shumë të fortë diasporën, ajo nuk është një histori emigracioni, por një forcë e gjallë në kuptimin ekonomik, social, kulturor por tashmë dhe diplomatik”, tha Gonxhja.

Sipas kreut të MTKS, marrëdhënia me diasporën kërkon një qasje të re, që të jetë më strategjike, më e strukturuar dhe më gjithëpërfshirëse, pasi nuk mjafton vetëm ruajtja simbolike e marrëdhënieve me atdheun, por lind nevoja për mekanizma konkrete që e bëjnë diasporën pjesë aktive të vendimmarrjes, të zhvillimeve dhe projekteve konkrete kombëtare.

“Shqipëria po punon për të krijuar një vizion të ri, ku kultura dhe turizmi, për shkak të bashkimit të këtyre portofoleve, janë dy shtylla shumë të forta të diplomacisë që vjen nga kjo forcë e jashtëzakonshme ekonomike që është turizmi. Mbi 22 % e GDP shqiptare ndikohet nga turizmi”, tha ministri Gonxhja.

Më tej ai përmendi diplomacinë kulturore si një instrument nga më të rëndësishmit e një politike që duhet të jetë politikë publike dhe shtyllë kryesore e Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030.

Ministri shprehu nevojën për të mos e parë kulturën si një sektor të mbyllur por si një sinergji ndërsektoriale që do të ndikonte në shumë fusha që lidhen me imazhin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.

Gonxhja kujtoi 12,4 milionë vizitorët me pasaporta të huaja, një pjesë e të cilëve janë nga Kosova dhe që ministri i quajti “bekimi ynë”.

“Aeroporti ynë i Rinasit ka procesuar mbi 4 milionë pasagjerë më shumë se aeroporti i Beogradit, i cili është më i madh në dimensione por me volum më të ulët përpunimi”, tha ministri Gonxhja, duke renditur pasojat e këtyre vizitorëve të shumtë, në hapjen e bizneseve të reja, vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë lokale. Në këtë pikë ministri kujtoi se duhet bërë një punë e përbashkët me diasporën, duke përfituar nga standardet dhe përvoja e tyre në tregun e lirë, duke i konsideruar urë e rëndësishme e transformimit dhe transferimit të dijes dhe praktikave më të mira.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights