Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka dhënë miratimin për ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë.
Në vendimin e dhënë me datë 14 shtator, konstatohet se veprat penale për të cilat kërkohet ekstradimi i Ervin Matës, përputhen edhe me veprat penale të parashikuara në legjislacionin brazilian.
Në vendimin e gjykatës prej 23 faqesh kërkesa për ekstradimin e paraqitur nga Shqipëria është shoqëruar me dokumentet e nevojshme dhe plotëson kërkesat e përcaktuara nga ligji brazilian.
Megjithatë, Ervin Mata nuk i dorëzohet automatikisht autoriteteve shqiptare, pasi vendimi përcakton se dorëzimi fizikisht varet nga vendimi i Presidentit të Brazilit.
Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela të Brazilit me dokumente angleze, të vlefshme deri në 2030, për t’iu fshehur autoriteteve.
Sipas hetimeve të SPAK, Mata dyshohet se ka koordinuar aktivitetin e grupit për trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë në shtator të vitit 2020.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar në vitin 2023 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
