Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, nuk do të ketë mundësinë të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili ndërroi jetë më 17 mars pas një sëmundjeje të gjatë. Gjykata Speciale nuk i dha leje të përkohshme për t’i dhënë lamtumirën e fundit prindit të tij, pavarësisht se më 13 mars atij iu mundësua një vizitë në spital. Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë dhe Shqipëri, ku organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e kanë cilësuar atë si një shkelje të të drejtave të njeriut, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare.
Kundërshtime të forta ka pasur edhe nga liderët politikë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se vendimi nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me diskriminimin dhe arbitraritetin. Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata Speciale rishqyrtimin e çështjes për të mos lejuar shkeljen e të drejtave të ish-presidentit. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti këtë vendim një “turp” për drejtësinë ndërkombëtare, duke e konsideruar atë një farsë dhe një goditje të rëndë ndaj vullnetit të Parlamentit të Kosovës. Qëndrimi i Ramës u mbështet edhe nga diplomati amerikan Richard Grenell, i cili shpërndau deklaratën e tij në rrjetet sociale.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte dhe, së fundmi, edhe për pengim të drejtësisë. Ndërkohë që procesi kundër tij vijon, vendimi i Dhomave të Specializuara për ta penguar të marrë pjesë në varrimin e babait ka hapur debat të gjerë mbi trajtimin e figurave politike të Kosovës nga drejtësia ndërkombëtare.