Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ylli Zallën, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar një masë më të lehtë, duke kundërshtuar pretendimin se ai paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Avokati i Zallës argumentoi se as personi dhe as vepra për të cilën ai dyshohet nuk paraqesin rrezikshmëri të veçantë. Sipas mbrojtjes, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, mes ferrave, pa masa të veçanta për ruajtjen apo ambalazhimin e tyre.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa prej kapsollave detonatore nuk kanë qenë funksionale, ndërsa disa mjete shpërthyese nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur për të shkaktuar shpërthim.
Sa i takon armëve, avokati deklaroi se bëhet fjalë për armë të vjetra, të prodhimit kinez, të viteve ’80. Edhe sasia e kanabisit e sekuestruar, sipas tij, ka qenë e ekspozuar ndaj faktorëve atmosferikë dhe nuk tregon kujdes të veçantë për ruajtjen e saj.
Avokati theksoi se Ylli Zalla nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale dhe se nuk ka prova që materialet e gjetura të jenë përdorur në ngjarje të tjera apo që ai të ketë ndërmarrë veprime për shitjen e lëndëve narkotike.
Një tjetër argument i mbrojtjes lidhet me mënyrën e dorëzimit të tij. Avokati tha se, pavarësisht angazhimit të forcave të shumta të policisë dhe përdorimit të dronëve gjatë operacionit, Zalla nuk u kap nga forcat e policisë, por vendosi vetë të dorëzohej.
Sipas avokatit, ai ka thirrur një efektiv që ndodhej pranë banesës, i është prezantuar dhe është dorëzuar, me qëllim që të sqaronte pozicionin e tij.
Për këto arsye, mbrojtja kërkoi që ndaj Ylli Zallës të vendosej një masë më e lehtë sigurie, por gjykata vendosi “arrest në burg”.
Deklarata e avokatit Dritan Gila:
Ylli Zalla nuk paraqet asnjë rrezikshmëri të lartë si person dhe as veprat për të cilat akuzohet nuk paraqesin rrezikshmëri të veçantë.
Së pari, armët dhe municionet e sekuestruara janë gjetur në pjesën e pasme të banesës, në ferra, pa asnjë rregull apo masë për ruajtjen e tyre dhe pa qenë të paprekura apo të ambalazhuara.
Së dyti, disa nga kapsollat detonatore nuk kanë qenë të afta të shkaktonin shpërthim, ndërsa disa bomba nuk kanë qenë të lidhura në mënyrën e duhur.
Së treti, armët janë prodhime të vjetruara, rreth 50-vjeçare, të prodhimit kinez, të vitit 1982. Edhe sasia e kanabisit të sekuestruar ka qenë nën efektin e agjentëve atmosferikë, çka tregon mungesë të çdo lloj kujdesi nga ana e të arrestuarit.
Në lidhje me rrezikshmërinë e personit, Ylli Zalla nuk paraqet asnjë rrezikshmëri, pasi nuk është i përfshirë në asnjë ngjarje kriminale dhe nuk ka të dhëna se materialet e sekuestruara në ferra, pas pjesës së oborrit, janë përdorur në ngjarje të tjera apo se ai vetë ka ndërmarrë veprime për shitjen e lëndëve narkotike.
Në këtë drejtim, me interes të veçantë është fakti se Ylli Zalla është dorëzuar vetë. Është e vërtetë që policia është angazhuar me dron dhe me efektivë të shumtë, por, pavarësisht operacioneve të zhvilluara për kapjen e tij, nuk ka mundur ta arrestojë. I vetmi element që solli suksesin e operacionit ishte dëshira e Yllit Zalla për t’u dorëzuar dhe për të sqaruar pozicionin e tij.
Videot publike para shtëpisë së tij e tregojnë këtë. Madje, ai vetë ka thirrur me zë një person që i është dukur pjesë e forcave RENEA dhe i është prezantuar, duke u dorëzuar.
Për këto arsye, mbrojtja ka kërkuar caktimin e një mase më të lehtë sigurie, në vend të masës së arrestit në burg të kërkuar nga prokuroria.
