Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë 17 të pandehur të akuzuar për krijim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim e trafikim të lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa dy të pandehura janë dënuar vetëm për kultivim të bimëve narkotike dhe kanë përfituar pezullim të ekzekutimit të dënimit.
Sipas vendimit të shpallur nga trupi gjykues, çështja u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, çka solli uljen me një të tretën të dënimeve për të gjithë të pandehurit.
Dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xheka, u dënuan fillimisht me nga 13 vjet burgim, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u dënuan përfundimisht me nga 8 vjet e 8 muaj burgim.
Sipas njoftimit zyrtar, për pjesën më të madhe të të pandehurve, mes tyre Sidrit Bisha, Suad Smakaj, Jurgen Ujkaj, Samoel Lushaj, Endriol Xheka, Mirvaldo Disha dhe Hamdi Dyli, gjykata caktoi dënime përfundimtare prej 6 vjet e 8 muaj burgim, pasi u shpallën fajtorë për vepra që lidhen me prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, kultivimin e bimëve narkotike, armëmbajtjen pa leje dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema dhe Edison Mema u dënuan përfundimisht me nga 5 vjet e 4 muaj burgim për kultivim të bimëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Gjykata dënoi gjithashtu Drita Memën dhe Izmire Memën me nga 4 vjet burgim për kultivim të bimëve narkotike, por vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për një periudhë trevjeçare, pasi i shpalli të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit, të dënuarit do t’i vuajnë dënimet në burgje të sigurisë së lartë, ndërsa për provat materiale gjykata disponoi sipas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar, thuhet në njoftimin e GJKKO-s.
