Prokurori i SPAK, Adnan Xholi është personi i parë, i cili ka dorëzuar dokumentacionin për të garuar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.
Kandidatura e tij tashmë i është dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), i cili do të vijojë procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtimin e organit të akuzës.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë.
Më pas, KLP-ja deri më 14 gusht do të verifikojë nëse kandidatët që shprehin interes, i plotësojnë kushtet ligjore.
Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar.
Gara për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme vjen pasi drejtuesit aktual Olsian Çelës i përfundon mandati në muajin dhjetor.
Posti i Prokurorit të Përgjithshëm ka një mandat 7-vjeçar, i cili nuk mund të rinovohet.
