Këtë të martë, më 22 korrik, u zhvillua faza e tretë e garës për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), e njohur ndryshe edhe si “FBI-ja shqiptare”. Kështu, të shtatë kandidatët për drejtor iu nënshtruan një provimi me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.
Kandidatët e kualifikuar e nisën testimin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.
Kandidatët:
- Andi Pogaçe
- Artur Beu
- Elton Kërluku
- Gentian Ndoi
- Gentjan Shehaj
- Gledis Nano
- Joni Keta
Sipas SPAK-ut, rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.
“Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës. Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.”– thotë SPAK në një njoftim për mediet.
Pas kësaj, testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.