📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
23e89439 0541 48ad 907b 31ec9f66500a 696x458

Zjarrfikësit francezë po vazhdojnë përpjekjet intensive për të vënë nën kontroll zjarret e mëdha, që kanë përfshirë zonat pranë Bordosë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se vala e re e të nxehtit, e parashikuar të nisë sot, mund ta përkeqësojë më tej situatën.

Gjatë një vizite në qendrën operative në Bordo, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se njëra prej dy vatrave kryesore të zjarrit, është vënë nën kontroll, ndërsa zjarri më i madh vijon të paraqesë sfida serioze për ekipet e emergjencës.

“Ne do ta fitojmë këtë betejë për të mbrojtur popullsinë”, u shpreh Macron, duke vlerësuar punën e zjarrfikësve dhe të forcave të angazhuara në terren.

Në operacion janë përfshirë rreth 2 500 zjarrfikës, 18 avionë zjarrfikës, 1 500 ushtarë, si edhe ekipe dhe mjete të specializuara nga rajone të tjera të Francës dhe nga vende partnere.

Gjatë ditës së djeshme, ekipet hapën gjithashtu korridore mbrojtëse në pyje për të penguar përhapjen e flakëve.

Sipas autoriteteve franceze, që nga e mërkura janë evakuuar më shumë se 220 mijë persona, përfshirë edhe një numër të madh turistësh.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt rajonit Gironde, duke theksuar se rreziku ende nuk ka kaluar.

Zjarret kanë mbërritur deri në një distance prej rreth 15 kilometra nga Bordoja dhe kanë shkatërruar rreth 42 mijë hektarë pyje, një sipërfaqe prej afro 420 kilometrash katrorë.

Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se që nga mbrëmja e së dielës është ndalur përhapja e mëtejshme e flakëve dhe situata është stabilizuar.

Ndërkohë, zjarret kanë goditur rëndë edhe sektorin e turizmit në rajon. Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gironde, Patrick Seguin, deklaroi se aktiviteti turistik është ndalur pothuajse plotësisht dhe se sezoni veror konsiderohet praktikisht i humbur për një pjesë të madhe të rajonit.

Edhe në Spanjë situata mbetet shqetësuese, megjithëse autoritetet raportojnë një ngadalësim të përhapjes së zjarreve.

Provinca Ávila, në perëndim të Madridit, si edhe rajonet e Madridit dhe Toledos, janë ndër më të prekurat, ku flakët kanë shkatërruar afro 80 mijë hektarë pyje dhe shkurresh.

Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, rreth 90 mijë persona janë prekur nga evakuimet dhe kufizimet e lëvizjes, ndërsa në provincën Castellón rreth 16 mijë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre.

Franca dhe Spanja po mbështeten edhe nga partnerët evropianë, të cilët kanë dërguar avionë dhe helikopterë zjarrfikës përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se asnjë vend nuk duhet të përballet i vetëm me fatkeqësi të kësaj përmase.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights