Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, u largua nga Mynihu mbrëmjen e së premtes, por fjalimi i tij në Konferencën e Sigurisë vazhdon të nxisë debat. Deklaratat e tij kritike ndaj liderëve europianë, duke i akuzuar ata për rënie të demokracisë dhe kufizim të lirisë së fjalës, kanë sjellë reagime të forta nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe Gjermanisë.
Një ndër të parët që iu përgjigj komenteve të Vance ishte kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili theksoi se demokracia gjermane mbetet e fortë dhe nuk do të lejojë ndikime nga jashtë. “Gjermania është një demokraci e fuqishme dhe nuk do të bashkëpunojë me ekstremizmin e djathtë në asnjë formë”, deklaroi ai.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kritikoi edhe më ashpër Vance, duke e quajtur fjalimin e tij “të papranueshëm”. “Nëse e kam kuptuar saktë, ai barazoi disa pjesë të Europës me regjime autoritare. Kjo është e patolerueshme”, tha Pistorius.
Një reagim i ashpër erdhi edhe nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila e interpretoi fjalimin e zëvendëspresidentit amerikan si një përpjekje për të krijuar tensione midis SHBA-së dhe aleatëve të saj europianë.
Në anën tjetër, fjalimi i Vance mori mbështetje nga Donald Trump, i cili nga zyra ovale deklaroi se “Europa po humbet lirinë e fjalës”. Gjithashtu, nacionalistët e partisë gjermane Alternativa për Gjermaninë e përshëndetën mesazhin e tij, ndërsa në Moskë, mediat shtetërore e cilësuan atë si “një kritikë të fortë ndaj Perëndimit”.
Debati rreth fjalimit të Vance vazhdon, duke nxitur diskutime mbi marrëdhëniet SHBA-BE dhe të ardhmen e aleancës transatlantike.