Mbahet sot protesta e prindërve përpara Bashkisë Gramsh në lidhje me infektimin me salmonelë për 14 fëmijë të kopshtit publik numër 1. Ajo që vihet re është një pjesëmarrje e ulët në protestë, kur një nga prindërit shprehet se ndodh për shkak të frikës së pushimeve nga puna.
Një prind, në një prononcim për mediat tha se, momente më të vështira që kaloi me fëmijën e tij, i cili qëndroi në trajtim me serum për më shumë se 72 orë, duke vuajtur nga të vjella dhe diarre të shpeshta.
Dyshohet se shkaku ka qenë konsumimi i një supe pule, ndërsa prindërit kanë dalë në protestë, duke kërkuar përgjegjësi dhe masa për parandalimin e rasteve të tjera.
Prindi: Fëmija është më shumë se 72 orë në serum. Te fëmija im ka qenë rasti i pari. Pasi dolën analizat, e kemi trajtuar në shtëpi fëmijën. Fëmija kishte të vjella e diarre çdo 10 minuta. 72 orëshi ishte një tmerr. Kam binjakë dhe shyqyr që fëmija tjetër nuk u sëmur. Jemi të bindur se fëmijët janë helmuar në kopsht. Nusja thotë se kanë konsumuar supën e pulës, nga informacione jozyrtare. Kam frikë se mos përhapet sëmundja dhe fëmijën po e mbaj në banesë.
“Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve në kopsht, nuk na jepnin përgjigje që kishim për ta marrë që të shtunën. Thonin që nuk jepet kështu përgjigja. Nuk kemi parë asgjë nga ana e tyre. Përderisa është një sëmundje ngjitëse, mbase duhej një person mbase nga infektivi të na orientonte se si duhej të veprojmë. Askush as nuk na ka pyetur se si është fëmija.
I kam marr fëmijës vetëm një mjekim që i kam marrë me lekët e mia. Nga shteti nuk kemi parë asnjë lëvizje, nuk është gjëkundi. Pjesëmarrja në protestë është e ulët sepse ne i njohim dhe kanë frikë se mos ikin nga vendete punës. Por mua përpara fëmijës tim nuk më intereson asgjë. Dum të zbardhet e drejta. Me sa shohim është një tender që i është dhënë një biznesi jashtë qytetit tonë”.