Ujësjellësi i Durrësit eshte ujësjellësi i
dytë më i madh në Shqipëri pas Tiranës dhe kompania që i shërben qytetit të
dytë më të madh në vend me ujë të pijshëm dhe heqje të ujërave të zeza.
Sipas
të dhënave të bilancit të vitit 2022, ujësjellësi i Durrësit ka 16.2 miliardë
lekë borxhe (afërsisht 160 milionë euro) dhe 13.3 miliardë lekë asete (130
milionë euro).
Pas publikimit të
lajmit mbi gjendjen e bilancit, (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve
dhe Infrastrukturës së Mbetejeve), deklaroi se situata në Durrës nuk është
“faliment”, por riorganizim.
“Ky proces ka konsistuar në
agregimin e 61 ish-shoqërive në varësi të bashkive të vendit dhe krijimin e 15
shoqërive të reja, ku secila bashki është sërish aksionere, por tashmë së
bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është aksionerja kryesore
me 51%,” thuhej në sqarim. AKUM nuk bëri të ditur në deklaratën e saj se nga do
të dalin paratë për të paguar detyrimet.
Ujësjellës Kanalizime Durrës, pati gjatë vitit
të kaluar 1.46 miliardë lekë të ardhura dhe 2.48 miliardë lekë shpenzime, me
rezultat neto prej mbi 1 miliardë lekë humbje, ose afro 10 milionë euro. Në
vitin 2021, kompania pati rreth 535 milionë lekë humbje e më 2020, 256 milionë.
Më 2019, humbjet ishin 550 milionë. Kompania shënoi fitime për herë të fundit
në vitin 2018.
Por problemi më e rëndë për Durrësin, vjen nga
mosmenaxhimi i kompanive dhe lejimi i humbjeve masive në rrjet. Sipas të
dhënave të Entit Rregullator të Ujit, gjatë vitit të kaluar, 77% e ujit të
furnizuar në Durrës humbi në rrjet, nga defektet apo nga vjedhjet, ndërsa pjesa
tjetër prej vetëm 23% u pagua nga konsumatorët. Me pak fjalë, kompania duhet të
ngrejë me pompa nga zona e Fushëkuqes dhe të transportojë për në Durrës një
metër kub ujë, për të shitur dhe arkëtuar realisht vetëm 230 litra.
Në vitin 2016, kompania mori një kredi nga
Banka Botërore bashkë me asistencën teknike se si mund të zgjidhej situata.
Vetëm se që nga viti 2016, humbjet nuk janë ulur, fatura e energjisë elektrike
është shtuar dhe kostot e tjera të kompanisë, përfshirë paga për punonjësit që
duhet të identifikojnë dhe eliminojnë rrjedhjet apo lidhjet e paligjshme, janë
shtuar gjithashtu. Shqipëria është vend shumë i pasur me burime ujore, të
vlerësuara në rreth 9,500 metra kub për frymë. Megjithatë, sipas të dhënave të
ERRU, 22% e popullsisë nuk shërbehet me ujësjellës publik, ndërsa 56% nuk
shërbehet me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza.