Kur janë mbushur 15 muaj nga zhvillimi i operacionit “Plumbi i artë”, tre prokurorët e prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë vendosur të mbyllin hetimet dhe të dërgojnë në gjyq personat e arrestuar në atë që tashmë njihet si dosja “Dumani”.
Bëhet fjalë për 20 persona të cilëve në këto ditë të para të Gushtit po i komunikohen akuzat dhe çështja e tyre brenda datës 18 gusht 2023 do i kalojë për gjykim gjykatës së posaçme. Ndërsa për sa i përket 12 personave që janë ende në kërkim, SPAK ka zgjedhur të çojë dosjen në gjyq në një fazë të mëvonshme.
Kjo pasi personat e vënë nën hetim dhe që janë në kërkim kanë afate të tjera që parashikon ligji procedurial penal. Dosja “Dumani” është çështja më voluminoze në SPAK, pasi në të janë përfshirë dhjetëra procedime penale, ku flitet për vrasje, grabitje me armë, vendosje tritoli, vjedhje, drogë e deri tek Dhunimet në familje.
Dosja përmban brenda 6 bashkëpuntorë drejtësie, ku më i rëndësishmi për SPAK është Nuredin Dumani. Ndërsa lista e të penduarve vijon me Klevis Allën, Henrik Hoxhën, Skerdi Tasin Euglen Halilin dhe së fundmi, Erjon Alibej.
Ky i fundit është njëri nga personat kryesorë që ka porositur dhe financuar Nuredin Dumanin, për të kryer vrasjet në segmentin rrugor Durrës-Elbasan.
Ndërsa së fundi SPAK mësohet se ka hequr dorë nga bashkëpunimi mes dy të penduarve Henrik Hoxhaj dhe Klevis Alla, pasi dëshmia e tyre është konsideruar si jo e sinqertë