Konsumatorët mund të faturohen për energjinë elektrike mbi bazën e një konsumi të përllogaritur, kur matësi nuk funksionon ose nuk mund të sigurohen të dhënat reale, por kjo mënyrë faturimi nuk do të zgjasë më shumë se tre muaj. Ky është një nga rregullat e propozuara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Sipas projektmetodologjisë së publikuar këtë të martë, kur mungojnë të dhënat e matjes për më shumë se një muaj, fatura do të llogaritet duke u bazuar te konsumi i klientit në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Nëse nuk ka të dhëna për atë periudhë, do të merret mesatarja mujore e konsumit gjatë 12 muajve të fundit.
Për klientët që nuk kanë histori të mëparshme konsumi, fatura do të llogaritet me zero kilovatorë (kWh), për një periudhë deri në tre muaj.
ERRE bën të ditur se, sapo të sigurohen të dhënat reale të matësit, faturimi do të korrigjohet. Nëse klienti ka konsumuar më shumë energji nga sa është llogaritur fillimisht, diferenca do t’i shtohet faturës së ardhshme. Nëse ka konsumuar më pak, shuma përkatëse do t’i zbritet detyrimit që duhet të paguajë.
