Policia britanike ka arrestuar pesë persona nën dyshimin se po përgatitnin një sulm ndaj bazës ajrore RAF Fairford, në Gloucestershire. Të dyshuarit akuzohen për mbajtje të lëndëve shpërthyese dhe për përgatitjen e një atentati.
Baza RAF Fairford përdoret edhe nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe ka qenë e përfshirë në operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit. Për këtë arsye, hetuesit britanikë po shqyrtojnë edhe mundësinë që sulmi të ketë lidhje me Iranin. Megjithatë, kjo mbetet një nga pistat e hetimit dhe autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësi të tjera.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar arrestimet si një zhvillim pozitiv. Sipas tij, personat e dyshuar ishin mbajtur nën vëzhgim prej kohësh dhe policia arriti t’i arrestonte para se të shkaktonin dëme të mëdha.
Alarmi u dha pak pas mesnatës së të dielës, kur policia mori informacion për tre furgonë të dyshimtë që po afroheshin drejt bazës. Zona u bllokua dhe banorët e fshatit Ëhelford, pranë bazës, u evakuuan. Disa prej tyre thanë se policia i kishte zgjuar në orët e para të mëngjesit dhe u kishte kërkuar të largoheshin nga banesat brenda pak minutash.
Në operacion u përfshinë edhe ekipet e specializuara për çaktivizimin e eksplozivëve. Specialistët kontrolluan furgonët duke përdorur robotë të komanduar nga distanca. Më vonë, autoritetet njoftuan se situata ishte nën kontroll dhe operacioni i drejtuar nga njësitë kundër terrorizmit nuk u zgjerua më tej.
Ngjarja u ndoq nga afër nga autoritetet britanike. Kryeministri Andy Burnham u informua vazhdimisht për zhvillimet dhe e cilësoi incidentin si “thellësisht shqetësues”. Ai tha se qeveria do të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për mbrojtjen e komuniteteve dhe sigurinë e vendit.
Dyshimet për një lidhje me Iranin lidhen me faktin se baza e Fairford është përdorur nga avionët amerikanë në operacionet kundër Teheranit. Më herët, Garda Revolucionare e Iranit kishte paralajmëruar se bazat perëndimore nga të cilat niseshin bombardimet mund të konsideroheshin objektiva legjitime, duke përmendur edhe Fairford.
Autoritetet britanike kanë hetuar gjithashtu raste të tjera të sulmeve dhe kërcënimeve që dyshohet se mund të kenë lidhje me aktorë të huaj. Për këtë arsye, hetuesit po mbajnë të hapura edhe pista të tjera, përfshirë mundësinë e përfshirjes së rrjeteve të lidhura me Rusinë.
Incidenti ka rikthyer vëmendjen edhe te siguria rreth bazës së Fairford. Në muajt e parë të operacioneve amerikane, qytetarë të shumtë mblidheshin pranë bazës për të parë avionët ushtarakë duke u ngritur nga pista. Në disa raste, njerëzit mund të afroheshin shumë pranë zonave të ngritjes, ndërsa kontrollet e sigurisë ishin relativisht të kufizuara.
Masat e sigurisë ishin forcuar kohët e fundit, por arrestimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi nivelin e mbrojtjes së instalimeve ushtarake britanike.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur në Liverpool nisi kongresi i Partisë Laburiste. Kryeministri Burnham u largua përkohësisht nga një intervistë me BBC-në dhe ndryshoi programin e tij për shkak të zhvillimeve. Incidenti u bë gjithashtu një nga temat kryesore të diskutimeve në kongres, ku disa figura politike shprehën shqetësimin se Britania mund të përballet me kërcënime të reja ndaj bazave dhe objekteve të saj ushtarake.
