Dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e Ermir Dedjes më 20 maj në Durrës. Ndërkohë në kërkim është shpallur edhenjë i tretë.
Kjo e çon në pesë numrin e personave të përfshirë në këtë ngjarje kriminale, pasi më herët janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë, mes të cilëve edhe një maroken.
Policia njoftoi sot më 4 Qershor se arrestuan 36-vjeçarin Erion Ndoni dhe 35-vjeçarin Klodian Berisha për kontrabandë mallrash. Nërkim u shpall Xhuljano Dyrmishi, të cilit përveç kontrabandës së mallrave i shtohet edhe vepra penale e sigurimit të kushteve për vrasje.
Nga hetimet rezulton se të tre ata kanë futur në Shqipëri dy automjete tip “Seat” njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së Dedjes.
Uniformat blu thonë se kanë gjetur edhe makinën tjetër tip “Seat” të kontrabanduar, sipas të cilëve do përdorej në një ngjarje tjetër kriminale.
(Pamje nga momenti i ekzekutimit të Ermir Dedjes)
Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur më herët në kërkim dy persona për sigurim kushtesh për vrasje dhe trafikim të mjeteve motorike. Mes tyre është edhe një maroken.
Sipas asaj që ka njoftuar policia, tre shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë të jenë jashtë vendit.
“Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre”, njoftoi policia.
Për zbardhjen e vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, janë duke u ndjekur disa pista. Hetuesit janë duke verifikuar tek e shkuara e të riut, për të gjetur të dhëna që mund ti ndihmojnë. Ermir Dedja rezulton personazh i njohur për policinë.
Në 2015-ën, u arrestua pasi i shiti drogë një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovë. Dy vite më vonë, u arrestua sërish, këtë herë për përkrahje ndaj Ismail Nuredinit, autor i një plagosjeje në Shijak.