Shumica e gjermanëve janë për zgjedhje të parakohshme. Ata janë të pakënaqur me qeverinë. Pak para zgjedhjeve në SHBA, gjermanët preferojnë Harris.
Sipas sondazhit të ARD-Deutschlandtrend, gjermanët janë të pakënaqur me qeverinë e tanishme të partive SPD ,FDP dhe të Gjelbrit, e cila është në pushtet që nga 8 dhjetori 2021. Aktualisht janë rreth 85 për qind e gjermanëve të pakënaqur me performancën e qeverisë, ndërsa vetëm 14 për qind e vlerësojnë pozitivisht punën e këtij koalicioni.
ARD-Deutschlandtrend bën sondazhe të këtilla për punën e qeverisë federale që nga viti 1997. Sondazhi i tanishëm është më i keqi për qeverinë që nga qershori i vitit 2010 kur qeverisë CDU/CSU dhe FDP i besonin vetëm 12 për qind. Por edhe gjatë qeverisë SPD dhe të Gjelbërve, në 2003 dhe 2004, ka pasur një kënaqësi shumë të vogël të zgjedhësve me qeverinë (11 dhe 13 për qind).
Qeveria e Gerhard Schröderit e përfundoi mandatin e saj me zgjedhje të parakohshme në vitin 2005, kur CDU/CSU u futën në koalicion me SPD-në dhe erdhi në pushtet Angela Merkel. Ndërsa tani në fund të tetorit 2024, shumica e gjermanëve janë të mendimit se Gjermania duhet të shkojë në zgjedhje të parakoshme, sepse 54 për qind i mbështesin zgjedhjet e parakohshme. Vetëm 41 për qind e të anketuarve mendojnë se koalicioni do të mbijetojë deri në zgjedhjet e rregullta në fund të shtatorit 2025.
Nëse do të kishte zgjedhje të dielën
Nëse zgjedhjet parlamentare federale do të mbaheshin këtë të dielë, Unioni konservator CDU dhe CSU, do të merrte 34 për qind të votave. SPD do të fitonte 16 për qind, të Gjelbërit 11 për qind, ndërsa FDP do të mbetej jashtë parlamentit, sepse do të fitonte vetëm katër për qind. AfD do të merrte 17 për qind ndërsa Aleanca e Sara Wagenknecht gjashtë për qind. Partitë e tjera do të merrnin gjithsej 12 për qind.
Kur bëhet fjalë për vlerësimet personale, kancelari Olaf Scholz aktualisht ka mbështetjen e vetëm 19 për qind të votuesve. Në krahasim me te, vlerësimi më i ulët i Gerhard Schröder ka qenë 24 për qind, ndërsa Angela Merkel nuk ka pasur kurrë mbështetje më të ulët se 40 për qind gjatë mandateve të saja.