17 shtatori shënon Ditën Botërore të Sigurisë së Pacientit, ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të nxisë veprime të përbashkëta në mbarë botën për përmirësimin e sigurisë së pacientëve në sistemet shëndetësore.
Kjo ditë bashkon pacientët dhe familjarët e tyre, kujdestarët, komunitetet, profesionistët e shëndetësisë, drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe politikëbërësit, për të riafirmuar angazhimin e tyre ndaj sigurisë së pacientit.
Edicioni i vitit 2026 i Ditës Botërore të Sigurisë së Pacientit përqendrohet në trajtimin e një prej shqetësimeve kryesore shëndetësore që prek miliarda njerëz dhe është përgjegjës për 74% të vdekjeve në mbarë botën, përkatësisht sëmundjet jo të transmetueshme (SJT).
Sëmundjet jo të transmetueshme janë gjendje afatgjata, si sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes, të cilat mund të prekin njerëz të çdo moshe dhe shpesh kërkojnë kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës.
Në nivel global, 1 në 10 pacientë dëmtohet gjatë marrjes së kujdesit shëndetësor, ndërsa rreth gjysma e këtyre dëmtimeve konsiderohen të parandalueshme. Personat që jetojnë me sëmundje jo të transmetueshme janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dëmtimeve për shkak të natyrës afatgjatë të sëmundjeve të tyre, nevojës për trajtim të vazhdueshëm dhe kontakteve të shpeshta me sistemet shëndetësore.
Ky ekspozim i përsëritur rrit mundësinë e dëmtimit me kalimin e kohës. Në disa sëmundje, si kanceri, deri në 1 në 3 pacientë përjeton ngjarje të padëshiruara gjatë marrjes së kujdesit shëndetësor. Për këtë arsye, Dita Botërore e Sigurisë së Pacientit 2026 i kushtohet kujdesit të sigurt për personat me sëmundje jo të transmetueshme, nën sloganin: “Kujdes i sigurt për gjithë jetën!”
