Ish-gardisti dhe shoferi i Lindita Nikollës, Martin Nikolli, i cili dhunoi dhe qëlloi në ajër me armë zjarri ndaj familjes Kaçi në Hamallaj është lënë sot në burg nga Gjykata e Durrësit.
Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Martin Nikollën dhe të vëllain, Alfred Nikolli të cilët u vendosën në pranga pas ngjarjes.
Konflikti ndodhi të dielën e 30 Korrikut, ku Martin Nikolli dhe vëllezërit e tij dhunuan Pjetër Kaçin dhe djemtë e tij me shkopa bejsbolli.
Madje shoferi i kryeparlamentares përdori edhe armën e zjarrit të shërbimit, duke qëlluar disa herë në ajër.
Ditën e djeshme (1 Gusht) Gjykata ka pajisur me urdhër mbrojtje Pjetër Kaçin dhe familjarët e tij.
Konflikti mes dy familjeve ka nisur prej disa muajsh për një rrugë që kalon pranë familjes Kaçi. Sipas informacioneve, sherri ka nisur për një shikim, “pse sheh nga shtëpia jonë?”, që pjesëtarë të familjes Nikolla i kanë thënë Pjetër Kaçit. Përveç armës së shërbimit, në sherr janë përdorur dhe shkopinj bejsbolli.
Sipas njërit prej djemve të Pjetër Kaçit, Paulinit, konflikti për rrugën vazhdon prej kohësh dhe ka përfunduar në prokurori. Sot ata janë kapur me fjalë me babain e tyre të moshuar dhe më pas, pasi kanë shkuar djemtë e të moshuarit, përplasja mes dy familjeve ka qenë fizike.
Paulin Kaçi akuzon shoferin e kryeparlamentares Lindita Nikolla se bashkë me familjen e tij bën të fortin dhe nuk i lejon të jetojnë qetësisht në zonën e tyre të banimit.
https://www.facebook.com/blueledED/