Komisioni per shendetesine dhe mireqenien sociale 1 696x502

Deputetët e opozitës kërkuan sot gjatë mbledhjes së Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale një seancë dëgjimore me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala lidhur me situatën në spitalin Onkologjik.

Teksa po diskutohej për kalendarin e punimeve të këtij komisioni, deputetja e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, Mesila Doda ngriti një çështje që, sipas saj, është bërë shumë sensitive edhe në media, ajo e të sëmurëve onkologjikë. Doda përmendi se ka pasur protesta dhe shoqata që kanë ngritur vëmendjen për këtë situatë.

“Mendoj se brenda kalendarit të ardhshëm të kishim mundësi për një dëgjesë, të dëgjonim problematikën e tyre dhe ne si komision të prononcoheshim dhe të kishim qëndrimin tonë. Mendoj se është një nga temat, e cila që prek shoqërinë dhe ka një sensibilitet të shtuar”, tha Doda.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho mbështeti kërkesën e deputetes Doda dhe propozoi që dëgjesa të bëhet brenda muajit tetor që është edhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

“Isha në protestë dje përpara MSH dhe gjendja është alarmante. Pas raportit të KLSH-së kemi  një skaner të situatës dramatike çfarë po ndodh në spitalin Onkologjik, ku mungojnë barnat, shtretërit. Sot që flasim ka vetëm 19 shtretër, ndërkohë që pacientët po marrin medikamente në karrige. Kur nuk arrijmë të rimbursojmë ilaçet e njerëzve që luftojnë me vdekjen atëherë ka dështuar jo vetëm sistemi shëndetësor, por edhe ne si shtet në dhënien e shërbimit shëndetësor”, tha Xhixho.

Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Bardh Spahia u shpreh se “ne i kemi diskutuar dhe do të përfshihet në kalendarin e Komisionit dëgjesa për një problematikë të tillë, por jemi pak vonë dhe shumë ngushtë me kohën për të diskutuar e kaluar këto projektligje  që i kemi pak a shumë me afat”.

Ndërsa deputeti i PS-së, Eduard Shalsi kërkoi që deputetja Xhixho ta sjellë propozimin me shkrim për dëgjesën me ministren.

Spahia u shpreh se komisioni bie parimisht dakord për kërkesën për dëgjesë me ministren e Shëndetësisë, por duhet gjetur hapësira e duhur në kohë më të shpejtë për përfshirje në kalendarin e komisionit.

Në përfundim të mbledhjes komisioni miratoi dhe kalendarin e punimeve deri më 7 nëntor 2025.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights