Blushi tha se Presidenti i Partisë së Lirisë është ndaluar me 10 ditë të marrë pjesë në aktivitete sportive në ambientet e burgut 313 “Jordan Misja” ku ndodhet prej 21 tetorit të vitit të kaluar, për shkak se dha intervistë për një media vizive.

“Partia e Lirisë dënon me forcë edhe përpjekjen kriminale të Narkoregjimit, që pasi i kufizoi lirinë e lëvizjes duke e izoluar padrejtësisht, në mënyrë krejtësisht qesharake po tenton t’i heqë Presidentit Meta edhe të lirinë dhe të drejtën e fjalës për të komunikuar me gazetarët.  Rasti me qesharak, ndodhi sot kur Komisioni Disiplinor i IEPV “Jordan Misja” dënoi Presidentin Meta me 10 ditë për të mos ushtruar aktivitete sportive në ambientet e paraburgimit vetëm pse pak ditë më parë realizoi live një intervistë. 

Këto praktika sa qesharake, po aq të neveritshme dhe represive, dëshmojnë fytyrën e vërtetë dhe degradimin e Narkoregjimit, që me ndihmën e SPAK po bëjnë çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës. Presidenti Meta në krye të Partisë së Lirisë po drejton me vendosmëri dhe efiçiencë të plotë politike aktivitetin dhe qendrimet e saj politike, me gjithe kushtet e izolimit ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga Narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurre lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura.

Partia e Lirisë është totalisht në krah të Presidentit te saj Meta në këtë betejë parimore për liri, demokraci, llogaridhënie, transparencë, drejtësi të vërtetë dhe shtet ligjor në Shqipëri dhe më e vendosur në mbrojtje të kauzave të saj madhore, për të çmontuar këtë axhendë kriminale, sorosiste dhe mafioze për pengmarrjen e plotë të vendit nga Narkoregjimi“, tha Blushi.