Screenshot 2025 11 04 121300 696x381

Shqyrtimi i projektligjit “Për barazinë gjinore” në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme u shoqërua sot me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë prezantimit të projektligjit para anëtarëve të komisionit të Jashtëm, zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi theksoi se projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe përmirëson kuadrin ligjor të vitit 2008 për barazinë gjinore.

Mungesa e efikasitetit të ligjit aktual mbi barazinë gjinore, sipas saj, është evidentuar në  raportet e BE-së.

Seferi theksoi se nga rekomandimet e ardhura, Shqipëria ftohet që ky ligj të miratohet brenda vitit 2025 dhe synon të krijojë një projektligj që është në përputhje me piketat e hapjes së kapitujve themelore me BE-së.

“Është një projektligj që garanton të drejtat të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat dhe është një nga parimet themelore të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë dhe në nga pikat themelore të BE. Barazia gjinore është një shtyllë themelore e të drejtave të njeriut në një shoqëri të barabartë gjinore, kjo nuk është vetëm çështje e grave, por e një drejtësie që garanton dinjitetin dhe barazinë për të gjithë qytetarët pa dallim”, theksoi ajo.

Seferi sqaroi se ligji i ri është i harmonizuar me zhvillimet e standardeve ndërkombëtare për barazinë gjinore.

Ndërsa relatorja e projektligjit, deputetja e PS-së, Iris Luarasi, tha se nisma ka ngjallur keqkuptime të qëllimshme.

Sipas Luarasit, nisma nuk krijon “gjini të reja” dhe nuk cenon familjen tradicionale, por synon vetëm mbrojtjen nga diskriminimi dhe forcimin e barazisë mes burrave dhe grave.

“Disa grupe kanë shprehur shqetësime për terminologjinë e përdorur duke pretenduar se ky projektligj kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive. Në fakt ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me realitetet e reja ligjore që mendohen. Nuk krijon kurrsesi asnjë gjini të re dhe synon vetëm të garantojnë barazinë mes burrave dhe grave. Për të shtuar gjini të reja do të duheshin reforma të thella ligjore duke ndërhyrë në ligjin që nga gjendja civile apo duke miratuar një kuadër specifik të ri ligjor duke njohur identitete e reja ligjore”, sqaroi Luarasi.

Sipas saj, “projektligji synon mbrojtjen nga diskriminimi, pa cenuar nocionet biologjike dhe është në përputhje me Kushtetutën”.

Luarasi sqaroi se koncepti i përkatësisë së shumëfishtë në ligj lidhet me diskriminimin e shtuar për shkak të faktorëve si mosha, aftësia e kufizuar apo statusi ekonomik, dhe jo me ekzistencën e “gjinive të shumëfishta” siç është interpretuar gabimisht nga disa grupe.

“Ligji nuk ndërhyn në organizmin e sportit, doktrinën fetare apo në simbolet kombëtare të Shqipërisë, ai mbështetet mbi parimet e respektimit të dinjitetit njerëzor dhe mosdiskriminimit. Togfjalëshi gjini e shumëfishtë nuk ekziston në projektligj”, shtoi ajo.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi rëndësinë e projektligjit për barazinë gjinore dhe riformulimin e disa amendamenteve të tij.

Balla theksoi se dezinformimi është sot armiku më i madh i demokracisë dhe se shumë nga kundërshtimet publike ndaj ligjit janë ndërtuar mbi keqinterpretime dhe fushata të qëllimshme për të deformuar debatin publik.

Ai vuri në dukje se çdo ndryshim i bërë në tekstin e ligjit ka synuar përmirësimin teknik dhe jo ndryshimin e përmbajtjes thelbësore të tij.

Duke iu referuar debateve publike, Balla shtoi se ndryshimet e propozuara janë në linjë me librat e shenjtë dhe se edhe krerët fetarë janë në dakordësi me to, pasi nuk parashikohet ndryshimi i Kodit të Familjes.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh se ligji “shkatërron bazën e familjes tradicionale”.

Sipas Shehut, “miratimi i këtij ligji do të sillte kaos dhe amulli në vend. Shehu e cilësoi nismën si “një atentat ndaj vlerave njerëzore”, ndërsa kërkoi që, nëse mazhoranca këmbëngul ta miratojë, çështja duhet të dërgohet në referendum.

“Shumica e vendeve evropiane nuk e kanë këtë ligj. Nëse doni ta miratoni, kalojeni me referendum, nuk ka rrugë tjetër, duhet të kalojë në referendum popullor. Ju po i bëni dëm të madh shoqërisë, ky nuk ka lidhje me ligjin për diskriminimin. Tërhiquni sa nuk është vonë, po fusni vendin në qorrsokak, po krijoni një problem të madh social në shoqëri, krijon amulli në popull. Ky është atentat ndaj jetës, shoqërisë dhe vlerave të familjes”, tha Tritan Shehu.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights