Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe kreun e ARRSH-së Ami Kozeli kryen inspektim sot më 6 nëntor në kantierin e Bypass-it të Tiranës, ku punimet po ecin me ritme të shpejta.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Karakaçi tha se deri tani, punimet janë kryer mbi nivelin 50 përqind. “Jemi në mbi 50 përqind të nivelit të punimeve”, tha Karakaçi.
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama deklaroi se Bypass-i do të ketë impakt në lehtësimin e trafikut në kryeqytet, por edhe në rritjen e vlerës së pronës në zonë. Tha se çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë të plotë.
“Në këtë zonë, me projektin e Bypass-it, pritet që të rritet vlera e pronës. Padiskutim që çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë të plotë.
Ky aks do ta çlirojë kryeqytetin nga ngarkesa e tepërt. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes dhe pjesa tjetër do të ketë lirshmëri për të hyrë dhe për të dalë”, u shpreh kryeministri.
Bypass-i i Tiranës është një projekt madhor rrugor, me gjatësi rreth 21.5 kilometra, që synon të lehtësojë trafikun në kryeqytet duke shmangur kalimin e automjeteve përmes qytetit.
Aksi do të lidhë autostradën Tiranë–Durrës, në zonën e Kasharit, me atë Tiranë–Elbasan, në Mullet, duke krijuar njëkohësisht dalje drejt Korridorit Adriatiko-Jonian dhe akseve të tjera kryesore rrugore.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, segmenti i parë prej 8 kilometrash pritet të përfundojë brenda vitit 2027, ndërsa për financimin e 13 kilometrave të mbetur po zhvillohen bisedimet përfundimtare me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
